Botërori në SHBA/ Tifozët e pesë kombëtareve përballen me garanci financiare deri në 15 mijë dollarë

Botërori në SHBA/ Tifozët e pesë kombëtareve përballen me garanci financiare deri në 15 mijë dollarë

14:34, 25/03/2026

Tifozët, madje edhe lojtarët, e pesë kombëtareve të kualifikuara për Botërorin 2026 mund të detyrohen të paguajnë një garanci financiare deri në 15 mijë dollarë për të siguruar vizën për në SHBA. Sipas raportimeve të ‘The Athletic’, kjo masë lidhet me politikat amerikane kundër emigracionit të paligjshëm.

Vendimi prek qytetarët e rreth 50 vendeve, kryesisht nga Afrika dhe Amerika Qendrore. Mes tyre janë edhe pesë përfaqësuese që do të marrin pjesë në Botëror: Algjeria, Kepi i Gjelbër, Senegali, Bregu i Fildishtë dhe Tunizia.

Për të marrë vizë turistike apo biznesi (B1/B2), aplikantët duhet të depozitojnë një shumë që varion nga 5 mijë deri në 15 mijë dollarë, e cila rimbursohet vetëm nëse largohen nga SHBA brenda afatit të vizës. Autoritetet amerikane kanë konfirmuar se rregulli vlen për të gjithë, pa përjashtim moshe, çka nënkupton se në teori prek edhe lojtarët dhe stafet teknike.

FIFA po ushtron presion për të përjashtuar futbollistët nga kjo masë, por një lehtësim i tillë për tifozët duket i pamundur. Megjithatë, ligji parashikon që në raste të veçanta mund të jepen përjashtime nëse udhëtimi konsiderohet me “interes të rëndësishëm kombëtar” apo humanitar.

Kjo kërkesë paraqet një barrë të madhe financiare për tifozët, duke iu shtuar kostove të larta të udhëtimit dhe akomodimit. Për shembull, një familje me katër persona mund të detyrohet të depozitojë deri në 40 mijë dollarë, ndërsa për një ekip me 26 lojtarë, shuma totale mund të arrijë deri në 400 mijë dollarë.

Ndërkohë, federatat e vendeve të prekura kanë shprehur shqetësimin e tyre dhe po kërkojnë zgjidhje përmes FIFA-s, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndonjë lehtësim para nisjes së turneut.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco