Dopjeta e pjesës së dytë nga Nico O'Reilly i dha Manchester Cityt një fitore bindëse 2-0 ndaj Arsenalit në finalen e “Carabao Cup”, me “Cityzens” që triumfuan për herë të nëntë në këtë kompeticion dhe të tetën radhazi në finale.
Arsenali, në finalen e parë të këtij turneu pas tetë vitesh, e nisi vrullshëm sfidën, me Kai Havertz dhe Bukayo Saka që u ndalën nga një pritje spektakolare e trefishtë e portierit James Trafford.
Pas këtij momenti, City mori kontrollin e lojës. Antoine Semenyo krijoi rrezik në krah, ndërsa Erling Haaland nuk arriti të konkretizonte një rast të mirë me kokë në fundin e pjesës së parë.
Në fraksionin e dytë, skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola rriti presionin.
Jérémy Doku ishte pranë golit pas një gabimi të Kepa Arrizabalaga, i cili u ndëshkua me karton të verdhë.
Goli i parë erdhi në minutën e 60-të, kur një krosim i Rayan Cherki përfundoi te O’Reilly, që shënoi me kokë në portën e boshatisur.
https://streamff.link/v/73fd868b
Vetëm katër minuta më vonë, i njëjti protagonist realizoi sërish, duke dyfishuar shifrat pas një asistimi nga Matheus Nunes.
https://streamff.link/v/3277eb77
Në përpjekje për të reaguar, trajneri Mikel Arteta hodhi në fushë Noni Madueke dhe Riccardo Calafiori, me këtë të fundit që goditi shtyllën.
Edhe Gabriel Magalhães ishte pranë golit, por tentativa e tij u ndal nga traversa.
Në fund, Manchester City administroi me qetësi avantazhin për të siguruar trofeun, që është i 19-ti për Guardiolën në krye të skuadrës.
Ndërkohë, Arsenali vazhdon të presë për një trofe që nga viti 2020, me ëndrrën për një sezon historik tashmë të shuar.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: