Ilir Daja: Na duhen pikët, por barazimi nuk është keq në Shkodër

Ilir Daja: Na duhen pikët, por barazimi nuk është keq në Shkodër

21:29, 21/03/2026

Pas barazimit 0-0 ndaj Vllaznisë, trajneri i Dinamos, Ilir Daja, u shfaq i kënaqur me lojën e skuadrës së tij, duke theksuar përmirësimin në qasje dhe atmosferë, por pa fshehur se skuadrës i duhen më shumë pikët.

“Sigurisht që neve në këto momente na duhen pikët dhe loja. Sot ajo që më kënaqi me ekipin tim nuk ishte rezultati, pavarësisht se nuk është keq në Shkodër. Nga mënyra e lojës ishim shumë vertikalë dhe donim të shkonim sa më shpejt te porta kundërshtare. Më pëlqeu që si titullarët, ashtu edhe lojtarët nga pankina ishin në maksimum. M’u kujtua forma e ekipit para 2026-ës”, u shpreh Daja.

Ai pranoi edhe problemet e mëparshme në skuadër: “Gjatë kësaj periudhe kemi pasur probleme me atmosferën dhe entuziazmin. Mungesa e pikëve kishte krijuar një gjendje të zymtë. Sot pashë reagim dhe përkushtim, pavarësisht se luanim ndaj kryesuesve”.

Duke analizuar ndeshjen, tekniku shtoi: “E nisëm mirë dhe krijuam raste. Bëmë disa gabime që i dhamë mundësi Vllaznisë të na rrezikonte me topa në thellësi. Në pjesën e dytë korrigjuam vendosjen për të ndalur lojën ajrore të Balajt dhe Bismark-ut. Ajo që na mungoi ishte pasimi final në kundërsulm”.

Në fund, Daja zbuloi edhe një detaj interesant nga dhomat e zhveshjes: “Lojtarët kërkuan 3 ditë pushim, pasi e kanë të nevojshme. Por, duke parë objektivat dhe pikët e lëna rrugës, vendosëm ta ulnim një ditë pushimi që të jemi më të fokusuar deri në fund. Duhet një sforco e madhe për të arritur maksimumin”.

 

Trajneri theksoi se Dinamo do të luftojë në të dyja frontet, si për Final Four, ashtu edhe në Kupë, duke kërkuar një reagim të fortë në javët vendimtare të sezonit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco