Barcelona po përgatitet t’i propozojë një zgjatje njëvjeçare të kontratës sulmuesit veteran Robert Lewandowski, sipas raportimeve të “Cadena SER”.
37-vjeçari polak, kontrata e të cilit skadon në fund të sezonit, mbetet i interesuar të vazhdojë aventurën në “Camp Nou”, pavarësisht interesimit nga klube të tjera.
Megjithatë, marrëveshja e re pritet të përfshijë një ulje page, ndjeshëm më të ulët se 26 milionë euro bruto që ai përfiton aktualisht.
Klubi katalanas e sheh Lewandowskin si një figurë me përvojë të madhe, në një rol të ngjashëm me atë të Cristhian Stuani, i aftë të japë kontribut të rëndësishëm nga stoli dhe të ndihmojë në zhvillimin e lojtarëve më të rinj në repartin ofensiv.
Gjithashtu, sulmuesi pritet të ketë rol kyç në integrimin e objektivit kryesor të verës, Julián Álvarez, duke ndarë eksperiencën dhe lidershipin e tij në skuadër.
Pavarësisht moshës, Lewandowski ka dëshmuar se mbetet një element i vlefshëm, duke performuar në nivele të larta, siç tregoi edhe me dopietën e fundit ndaj Newcastle United.
Sipas burimeve, palët janë në një linjë sa i përket kushteve dhe zyrtarizimi i marrëveshjes mund të vijë së shpejti, duke e mbajtur sulmuesin në Barcelonë edhe për një sezon tjetër, ndërsa ai i afrohet 38-vjetorit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: