Në mbledhjen e zhvilluar në Zyrih, FIFA ka marrë një vendim të rëndësishëm në lidhje me pjesëmarrjen e Iranit në Kupën e Botës 2026. Organizmi më i lartë i futbollit botëror ka refuzuar kërkesën e Iranit për të zhvilluar ndeshjet në Meksikë në vend të Shteteve të Bashkuara.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, theksoi se organizata nuk ka rol në zgjidhjen e konflikteve gjeopolitike, por synon të përdorë futbollin si një mjet bashkimi. “FIFA nuk mund të zgjidhë konfliktet, por ne besojmë në fuqinë e futbollit për të ndërtuar ura dhe për të promovuar paqen,” u shpreh Infantino.
Ai shtoi se prioriteti është që turneu të zhvillohet normalisht dhe sipas kalendarit të paracaktuar, ndërsa së shpejti pritet edhe konfirmimi i 48 skuadrave pjesëmarrëse. Mesazhi ishte i qartë: të gjitha kombëtaret duhet të garojnë në frymën e “fair play”-t dhe respektit të ndërsjellë.
Gjatë të njëjtës mbledhje, FIFA miratoi edhe raportin financiar për vitin 2025, duke parashikuar të ardhura rekord prej 14 miliardë dollarësh për ciklin 2027-2030. Këto fonde do të riinvestohen në zhvillimin e futbollit global përmes programit FIFA Forward, që pritet të arrijë në 2.7 miliardë dollarë.
Infantino theksoi se këto investime do të sjellin më shumë mundësi për lojtarët dhe të rinjtë, përmirësim të infrastrukturës dhe rritje të aksesit në teknologji për federatat në mbarë botën.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: