Kombëtarja e Argentinës do të ketë sërish në dispozicion kapitenin e saj legjendar, Lionel Messi. Trajneri Lionel Scaloni e ka përfshirë ‘yllin’ e Inter Miamit në listën e 28 lojtarëve të grumbulluar për ndeshjen miqësore ndaj Guatemalës, e cila do të zhvillohet më 31 mars, në ‘Buenos Aires’.
Kjo përballje zëvendëson “Finalissima”-n e planifikuar ndaj Spanjës, që ishte parashikuar të luhej në Katar, por që u anulua për shkak të situatës së luftës. Prania e Messit në këtë grumbullim ka rritur ndjeshëm optimizmin se ai mund të marrë pjesë në Kupa e Botës 2026, që do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Në daljen e tij të fundit me “Albicelesten”, më 5 shtator në “Monumental”, vetë Messi kishte lënë të kuptohej se pjesëmarrja në Botëror nuk ishte e sigurt. Megjithatë, forma e tij aktuale dhe fakti që së fundmi arriti golin e 900-të në karrierë, duket se e mbajnë ende në skenën më të madhe të futbollit.
Ndërkohë, rivali i tij historik, Cristiano Ronaldo, vazhdon garën drejt golit të 1000-të dhe pritet të jetë pjesë e Botërorit. Një përballje e mundshme mes dy ikonave do të ishte një kapitull i ri i rivalitetit që ka dominuar futbollin në dy dekadat e fundit.
Në listën e Scalonit mungon Lautaro Martinez, i cili do të qëndrojë në Milano për t’u rikuperuar nga dëmtimi. Nga ana tjetër, disa emra nga Europa janë pjesë e grumbullimit, ndërsa Atletico Madrid është skuadra që kontribuon me më shumë lojtarë në këtë listë.
Rikthimi i Messi-t i jep një tjetër dimension Argjentinës, që synon të vijojë dominimin dhe të paraqitet në nivel maksimal në sfidat e ardhshme ndërkombëtare.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: