Një lajm i bujshëm ka tronditur botën e futbollit brazilian. Grupi amerikan i investimeve Saint Dominique Sports, me bazë në Shtetet e Bashkuara, ka bërë hapin e parë drejt blerjes së klubit historik brazilian Santos Futebol Clube.
Presidenti i klubit, Marcelo Teixeira, ka pranuar ofertën e parë jo detyruese të grupit, e cila vlerësohet në rreth 350 milionë euro për 80% të aksioneve, një nga shifrat më të larta të ofruara ndonjëherë për një klub brazilian. Pagesa do të bëhet drejtpërdrejt te klubi, me premtimin për të shlyer borxhet ekzistuese. Drejtoria e Santosit ka 90 ditë kohë për të vendosur nëse do të vazhdojë me operacionin apo do ta refuzojë.
Aktualisht, negociatat ndodhen në fazën e “Due Diligence”, një hetim i detajuar mbi gjendjen financiare, ligjore, operacionale dhe komerciale të klubit, për të identifikuar edhe rreziqet e mundshme të fshehura. Gjatë këtyre 90 ditëve, klubi nuk do të shqyrtojë asnjë ofertë tjetër, duke siguruar kështu stabilitet juridik dhe analizë të thellë të të dhënave financiare. Për këtë proces, Santos do të ketë mbështetjen e kompanive të mëdha financiare si XP Investimentos dhe Rothschild & Co.
Në deklaratën zyrtare thuhet se marrëveshja jep ekskluzivitet për nisjen e bisedimeve mbi një investim të mundshëm të SDC Sports në një “Sociedade Anônima do Futebol” (SAF) të Santosit. Qëllimi është forcimi i klubit në aspektin sportiv, konkurrues dhe financiar, promovimi i markës dhe përmirësimi i zhvillimit të akademisë dhe ekipit profesionist.
Pavarësisht thashethemeve për përfshirjen e familjes Neymar përmes NR Sports dhe Neymar ‘Pai’, nuk ka pasur negociata zyrtare me Teixeira-n. Familja kishte kërkuar informacion dhe këshilla ligjore për blerjen e klubit, por operacioni nuk u konkretizua dhe aktualisht ata nuk janë pjesë e procesit. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që ata të rikthehen në lojë nëse procesi i Due Diligence nuk arrin të përfundojë me sukses.
Ky hap mund të shënojë një kapitull të ri në historinë e Santos Futebol Clube, duke ofruar një injeksion të madh kapitali dhe mundësi për rikthim konkurrues në futbollin brazilian dhe ndërkombëtar.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: