Një lajm shumë i rëndësishëm ka ardhur sot nga Continassa për Juventusin. Dusan Vlahovic është rikthyer në stërvitje me grupin për herë të parë që nga dita e dëmtimit të tij, duke dhënë një sinjal të qartë se gjendja fizike e sulmuesit serb është në përmirësim të dukshëm.
Qendërsulmuesi bardhezi kishte mbetur jashtë fushave që prej 29 nëntorit dhe tashmë, pas më shumë se tre muajsh, ka nisur të punojë sërish me shokët e skuadrës, edhe pse pjesërisht. Ky hap konsiderohet vendimtar në rrugën drejt rikthimit të plotë në dispozicion të trajnerit Luciano Spalletti, i cili po udhëheq Juventusin në garën për një vend në Ligën e Kampionëve.
Një detaj interesant erdhi edhe nga agjenti i lojtarit, Darko Ristic, i cili publikoi në “Instagram” një foto të Vlahoviçit me një orë rëre në sfond, duke lënë të kuptohet se rikthimi i tij është çështje kohe.
Ditët në vijim do të jenë vendimtare për ta integruar plotësisht në stërvitje me grupin dhe për ta çuar drejt formës optimale pas një pauze kaq të gjatë. Megjithatë, ekziston mundësia reale që Vlahoviçi të grumbullohet që për ndeshjen e së shtunës, më 7 mars, kundër Pisa-s
Fillimisht ai mund të jetë pjesë e skuadrës nga stoli, në pritje të rikthimit si titullar. Ndërkohë, mbetet për t’u parë edhe zhvillimi i situatës së kontratës së tij dhe mundësia e rinovimit me klubin bardhezi.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: