Barcelona nuk ia doli që të kalonte në finalen e Kupës së Mbretit, pasi u eliminua nga Atletiko Madrid edhe pse fitoi 3-0 ndeshjen e kthimit.
Ndonëse ekipi humbi mundësinë për një trofe, kapiteni i katalanasve, Rafinja, është i bindur se ata do të kenë mundësinë të bëjnë të lumtur tifozët në këtë edicion, pasi janë në garë për titullin dhe Ligën e Kampioneve.
“Jam krenar për ekipin. Kemi dhënë gjithçka që nga fillimi. Jemi të zhgënjyer sepse deshëm të ishim në finale. E meritonim për ndeshjen e sotme. Duhet ta respektojmë atë që ka bërë Atletiko, një ekip i shkëlqyer. Ata e kanë bërë shumë mirë, duke mbrojtur portën e tyre.
Kemi dhënë gjithçka dhe përmbysja e një 4-0 nuk është aspak e lehtë. Mund të kishim bërë më mirë në ndeshjen e parë, por nuk kemi pse të kërkojmë justifikime. Me mbështetjen e tifozëve ishte shumë më e lehtë. Na mungonte një gol për të barazuar kualifikimin. Dal nga fusha mjaft krenar, me më shumë gjëra pozitive se negative. Nëse do të bëjmë edhe në vazhdim këtë që bëjmë sot, do të kemi një mbyllje sezoni spektakolare”, tha Rafinja pas duelit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: