Borussia Dortmund vazhdon marshimin e saj bindës në Bundesligë, duke regjistruar fitoren e pestë radhazi 2-1 në transfertë ndaj Wolfsburgut. Një ndeshje e vështirë, ku verdhezinjtë u detyruan të gërmonin thellë për të marrë tri pikë shumë të rëndësishme në garën për titull.
Edhe pse Dortmundi mbajti më shumë topin në pjesën e parë, ishin vendasit ata që krijuan rastin më të pastër. Mohamed Amoura u gjend i vetëm përballë Gregor Kobel-it, por shpërdoroi në mënyrë të pabesueshme, duke e dërguar topin mbi traversë. Nga ana tjetër, Dortmundi reagoi gradualisht: Julian Ryerson fillimisht gaboi një rast të artë në zonë, ndërsa pak çaste më vonë asistoi për Maximilian Beier, goditja e të cilit u ndal nga traversa. Presioni u shpërblye në minutën e 38-të, kur Julian Brandt realizoi me kokë pas një goditjeje këndi të Ryerson-it, duke kaluar miqtë në avantazh.
Pjesa e dytë foli më shumë për Wolfsburgun. Vetëm shtatë minuta pas rifillimit, Konstantinos Koulierakis barazoi rezultatin me kokë, pas një goditjeje dënimi të ekzekutuar nga Christian Eriksen. Vendasit morën zemër dhe krijuan disa raste të rrezikshme: Amoura humbi sërish përballë Kobel-it, ndërsa Lovro Majer goditi traversën në minutën e 80-të.
Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt barazimit, Dortmundi goditi në momentin vendimtar. Fábio Silva shërbeu saktë për Serhou Guirassy, i cili me goditjen e vetme në portë e dërgoi topin në cepin e largët, duke heshtur stadiumin. Një gol që vlen shumë: Dortmundi afrohet vetëm tri pikë me Bayern-in dhe konfirmon se është seriozisht në garë për titullin e parë kampion pas sezonit 2011/12. Dortmundi fitoi si ekip kampionësh: vuajti, rezistoi dhe goditi në çastin e duhur.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: