Juventusi ka nisur zyrtarisht operacionin e rinovimeve dhe dita e sotme i është kushtuar plotësisht Kenan Yildiz. Talentit turk i është zgjatur kontrata deri në vitin 2030, një marrëveshje që tashmë është bërë edhe zyrtare. Yildiz, i shoqëruar nga drejtori Damien Comolli, ka hedhur firmën në sallën e shtypit, duke konfirmuar besimin e ndërsjellë mes lojtarit dhe klubit bardhezi.
Me këtë rinovim, paga e 20-vjeçarit është më shumë se trefishuar, një sinjal i qartë se Juventusi e konsideron Yildizin një shtyllë të projektit të ri sportiv. Vetë futbollisti u shpreh i emocionuar pas firmës, duke falënderuar drejtuesit, stafin teknik, shokët e skuadrës dhe tifozët, ndërsa theksoi dashurinë e tij për fanellën bardhezi dhe dëshirën për të ndërtuar një histori të rëndësishme me “Zonjën e Vjetër”.
Pas viteve të vështira dhe luhatjeve në rezultate, në Torino po merr formë një projekt më i qartë dhe më i qëndrueshëm. Mbërritja e Luciano Spalletti-t në pankinë ka dhënë jo vetëm garanci në planin afatshkurtër, por ka rikthyer edhe optimizmin për të ardhmen. Brenda dhe jashtë fushës, perceptimi është se Juventusi ka gjetur më në fund trajnerin e duhur për të ndërtuar një cikël të ri fitues.
Pas Yildizit, drejtuesit pritet të ulen në tryezë edhe për rinovimet e radhës, me Spalletti-n dhe Weston McKennie-n në krye të listës, duke konfirmuar strategjinë për stabilitet dhe vazhdimësi. Juventusi po hedh themelet e një projekti afatgjatë, me Yildizin simbol të së ardhmes bardhezi.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: