Derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Dinamos u mbyll pa fitues, me rezultatin 1-1, në një përballje që ofroi ritëm të lartë, raste të shumta dhe momente tensioni. Bardheblutë e drejtuar nga Nuhiju e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke gjetur golin që në sekondën e 40-të dhe duke vendosur menjëherë kontrollin e lojës.
Dinamo pati shansin ideal për të rikthyer baraspeshën në minutën e 17-të, por Dejvi Bregu nuk arriti të shfrytëzonte penalltinë e fituar nga vetë ai, duke lënë të pandryshuar rezultatin. Vështirësitë për dinamovitët u shtuan edhe më shumë në minutën e 35-të, kur Gudiaby u ndëshkua me karton të kuq pas një përplasjeje në mesfushë, duke e lënë ekipin me 10 lojtarë.
Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të Tiranës, por në fraksionin e dytë Dinamo tregoi karakter. Pavarësisht inferioritetit numerik, ekipi i Ilir Dajës nuk u dorëzua dhe në minutën e 81-të gjeti golin e barazimit me talentin 19-vjeçar Mustafa Koma, duke ndezur sërish derbin.
Në fund, fitorja në vitin 2026 vazhdon të mbetet një tabu për Dinamon, ndërsa Tirana, edhe pse luajti për shumë minuta me një lojtar më tepër, u detyrua të kënaqej vetëm me 1 pikë nga ky derbi plot ngarkesë emocionale.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: