Cristiano Ronaldo po konteston sistemin e futbollit arab dhe ka kërcënuar se mund të largohet nga Al Nassr. Tifozët dhe drejtuesit e klubit jetojnë momente tensioni, duke pritur të kuptojnë nëse ‘ylli’ portugez do të luajë të premten ndaj Al Ittihad-it, duke vendosur përfundimisht mbi protestën që ka nisur ditë më parë.
Arsyeja e pakënaqësisë së Ronaldos lidhet me kalimin e Karim Benzema-së nga Al Ittihad tek Al Hilal, ekipi i drejtuar nga Simone Inzaghi dhe kryesues aktual i Saudi Pro League. Ronaldo pretendon se Al Nassr dhe Al Hilal, të dy të kontrolluar nga Fondi Sovran Arab (PIF), favorizojnë njëri-tjetrin sipas interesave të fondit, duke dëmtuar konkurrencën. Për këtë shkak, CR7 nuk luajti ndaj Al Riyadh dhe nuk u stërvit, duke paralajmëruar drejtuesit se është i gatshëm të largohet nga liga.
Kontrata e tij skadon në 2027 dhe përmban një klauzolë prej 50 milionë eurosh, me disa klube turke që tashmë janë vënë në gatishmëri për verën e ardhshme, sipas raportimeve të TalkSport.
Saudi Pro League reagoi duke mohuar pretendimet e Ronaldos, duke deklaruar se “çdo klub vepron në mënyrë të pavarur sipas të njëjtave rregulla, duke garantuar qëndrueshmëri dhe ekuilibër konkurrues në të gjithë kampionatin”. Një zëdhënës i ligës shtoi për BBC-në: “Cristiano Ronaldo, si çdo lojtar elitë, dëshiron të fitojë, por asnjë individ nuk merr vendime që shtrihen përtej klubit të vet”.
Tek Al Nassr, situata nuk konsiderohet emergjente, pasi besohet se protesta e CR7 do të përfundojë shpejt. Megjithatë, e ardhmja e tij pas ndeshjes dhe përgatitjes për Kupën e Botës mbetet ende e paqartë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: