Kanë përfunduar dy nga ndeshjet e para të javës së 21-të të Superiores, takime që sollën emocione, polemika dhe ndikim të drejtpërdrejtë në luftën për mbijetesë dhe zonën e mesit të renditjes. Në total, në këto dy përballje u shënuan tre gola.
Në “Selman Stërmasi”, Tirana arriti një fitore jetike përballë Flamurtarit, duke triumfuar minimalisht 1-0. Goli vendimtar u realizua nga sulmuesi sllovak Myslovic, i cili u dha bardhebluve tri pikë tepër të çmuara. Me këtë sukses, Tirana ngjitet në kuotën e 17 pikëve, duke mbetur ende në fund të tabelës, por tashmë vetëm një pikë larg Flamurtarit të vendit të 9-të dhe dy pikë pas Bylisit që mban vendin e 8-të. Një fitore që ndez seriozisht “luftën” për mbijetesë dhe rikthen shpresën në kampin bardheblu.
Në sfidën tjetër, Vora u ndal në barazim 1-1 ndaj Teutës, në një ndeshje të mbushur me tension dhe polemika. Vorakët kaluan të parët në avantazh me golin e Kasallës në minutën e 26-të, ndërsa mbajtën epërsinë për një kohë të gjatë, pavarësisht se luajtën me 10 lojtarë. Gjithçka u përmbys në minutën e 112-të, kur Teuta fitoi një penallti të diskutueshme, të shndërruar në gol nga Maçolli. Vendimi shkaktoi protesta të forta, madje edhe braktisjen e përkohshme të fushës nga lojtarët e Vorës.
Pas këtij barazimi, Vora mbetet në vendin e 7-të me 24 pikë, ndërsa Teuta, me tri pikë më shumë, vazhdon të pozicionohet në vendin e 5-të të renditjes.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: