Niclas Füllkrug është praktikisht sulmuesi i ri i Milanit dhe numri 9 i ardhshëm i kuqezinjve, por për momentin gjendet ende “pezull”. Mes vizitave mjekësore të kryera dhe kalimit në Casa Milan për procedurat burokratike, zyrtarizimi i tij do të vijë vetëm me hapjen e merkatos dimërore më 2 janar. Deri atëherë, sulmuesi gjerman ndan të shkuarën me West Ham-in, të tashmen në pritje dhe të ardhmen që e sheh protagonist në Milano, nën drejtimin e Massimiliano Allegri-t.
Vendimi i parë i rëndësishëm i Füllkrug ka qenë zgjedhja e fanellës: numri 9, një simbol historik për Milanin, por edhe një peshë e madhe. Është fanella e Marco van Basten dhe George Weah, e trashëguar më pas nga Filippo Inzaghi, ndërsa në vitet e fundit ka qenë shpesh një “numër i mallkuar” për shumë sulmues që nuk kanë arritur të lënë gjurmë. Gjermani i vitlindjes 1993 do të ketë detyrën e vështirë për të thyer këtë tabu.
Pas përfundimit të vizitave dhe realizimit të përmbajtjeve mediatike që do të publikohen pas firmës në kontratë, programi i Füllkrug parashikon një vizitë në Milanello në vigjilje të Krishtlindjes. Megjithatë, ai nuk do të mund të stërvitet ende me skuadrën. Arsyeja lidhet me mungesën e “nulla osta”-s nga West Hami, një detaj burokratik që i ndalon përkohësisht stërvitjen me shokët e rinj të ekipit.
Në kampin kuqezi mbizotëron optimizmi se gjithçka do të zgjidhet shpejt dhe se Füllkrug do të jetë i gatshëm që nga 2 janari, për ndeshjen ndaj Cagliarit. Milan dhe Allegri presin një sulmues që jo vetëm të mbajë fanellën me numër të rëndë, por edhe të japë gola, lidership dhe garanci në repartin ofensiv.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: