Lazio është gati të rikthehet protagoniste në merkato pas heqjes së ndalimit për regjistrimin e lojtarëve dhe janari pritet të nisë me një emër të madh. Në krye të listës së dëshirave të drejtuesve bardhekaltër ndodhet Lorenzo Insigne, i cili sipas raportimeve të fundit ka arritur marrëveshje për t’u bashkuar me skuadrën romane.
Sipas ‘La Gazzetta dello Sport’, anësori italian është i gatshëm të firmosë një kontratë gjashtëmujore, me opsion për një vit shtesë. Bisedimet, që më herët ishin ftohur, tani janë rikthyer fuqishëm dhe marrëveshja konsiderohet praktikisht e mbyllur, duke pritur vetëm formalizimin. Insigne mund të bëhet përforcimi i parë i Lazios sapo të rihapet merkatoja e dimrit më 2 janar.
Detajet ekonomike janë tashmë të qarta: paga e lojtarit do të jetë rreth 1.3 milionë euro deri në fund të qershorit, ndërsa në rast aktivizimi të opsionit për sezonin e ardhshëm, shifra do të rritet deri në afro 2.4 milionë euro. Një investim i kontrolluar, por me potencial të lartë teknik dhe mediatik.
Për Lazion, afrimi i Insignes do të përfaqësonte një rritje të ndjeshme cilësie në repartin ofensiv, falë eksperiencës së tij të madhe në Serie A dhe në arenën ndërkombëtare. Ish-kapiteni i Napolit sjell kreativitet, fantazi dhe aftësi për të vendosur ndeshjet në momente kyçe, elemente që mund t’i japin skuadrës një shtysë të rëndësishme në gjysmën e dytë të sezonit.
Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, rikthimi i Insignes në futbollin italian me fanellën e Lazios pritet të jetë një nga lëvizjet më interesante të merkatos së janarit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: