Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 23 e protestës qytetare: Rama jepe dorëheqjen

Castan: Tumori në tru, trupi që nuk reagonte më dhe ajo fraza e Spalletti-t…

Castan: Tumori në tru, trupi që nuk reagonte më dhe ajo fraza e Spalletti-t…

16:36, 30/10/2025

Jeta, si në të mirën ashtu edhe në të keqen, mund të jetë plot surpriza. Leandro Castan e ka provuar këtë në lëkurën e vet, në heshtjen e muskujve të tij, në fjalët e atyre që i qëndruan pranë kur gjithçka ishte e errët dhe nuk dukej dritë në fund të tunelit. “Kam pasur frikë se mos vdisja. Më diagnostikuan një kavernomë, pra një keqformim vaskular në tru. Aty përfundoi karriera ime.” Në një çast gjithçka ndryshoi. Shkon të flesh si futbollist, zgjohesh duke mos qenë më i tillë. Mbrojtësi, teksa flet, e rikthen dramën. Ai ishte 26 vjeç, me rreth 60 ndeshje në Serinë A dhe pjesë e ciklit të kombëtares braziliane. “Tumori i zhduku ëndrrat e mia. Do të kisha fituar titullin me Romën dhe do të kisha luajtur Botërorin me Brazilin.”

Castan, fundi i karrierës ka një datë të qartë: ishte 14 shtator 2014, Roma luante në fushën e Empolit. Maicon e kuptoi se diçka nuk shkonte…

“Ato 15 minuta mbyllën gjithçka. Maicon shkoi te Garcia dhe i tha: ‘Leo është keq, zëvendësoje’. Dola nga fusha dhe nuk u ktheva më. Të nesërmen u zgjova me një dhimbje koke të tmerrshme, shkova në spital dhe bëra rezonancë. Trupi nuk reagonte më, pata frikë se mos vdisja.”

Pastaj erdhi diagnoza. Ju thanë se kishit kavernomë cerebrale. E mbani mend reagimin tuaj?

“Në fillim, Roma nuk më tregoi asgjë, sigurisht për të më mbrojtur. Kuptoja që ishin të shqetësuar, më thoshin vetëm të qëndroja i qetë. Kur e zbulova, ishte tmerr. Nga lufta për titull me Romën përfundova në një shtrat spitali duke luftuar me tumorin. Një makth, kisha vjellje çdo ditë. Humbja 15 kg për dy javë. Qëllimi u bë të mbijetoja. Futbolli në ato momente vjen pas gjithçkaje.”

A mbani mend një mesazh të veçantë pas operacionit?

“Po, shumë. Shumë prej tyre të papritura. Më shkroi Baresi, ishte e pabesueshme. Pastaj Del Piero, Bonucci dhe të tjerë. Dhe të gjithë shokët e skuadrës, ishin fantastikë.”

Pas një rehabilitimi të gjatë u përpoqët të ktheheshit. A ndjetë sikur trupi nuk ju bindte më?

“T’ju tregoj këtë. E mbaj mend topin e parë që provova të kontrolloja. U përpoqa ta ndaloja dhe ai kaloi mes këmbëve. Ishte sikur nuk kontrolloja më trupin tim. Një ndjesi e tmerrshme.”

Image

A keni menduar të ndalonit?

“Po, shumë herë. Nuk di ta përshkruaj zhgënjimin. Nuk e njeh më veten, do të arrish një nivel dhe nuk ia del. Në atë periudhë qaja shpesh. Madje u grinda edhe me shokët e skuadrës. Si atë ditë me Dzekon…”

Na tregoni.

“Në stërvitje Edin u kthye dhe më shtyu me dorë. M’u mbush mendja dhe pas pesë minutash i hyra fort, me një faull të keq. Ai më ofendoi, u shkëmbyen fjalë. Më vonë në darkë e telefonova dhe i kërkova falje, sot jemi miq të mirë. Ndodhi edhe me Keita. Diskutuam në stërvitje, isha keq dhe ndizhesha shpejt. Edhe me të u sqaruam menjëherë në dhomat e zhveshjes.”

A ju qëndroi Roma pranë?

“Po, shumë. Vetëm falënderime kam. Walter Sabatini ishte si baba i dytë për mua, edhe Rudi Garcia ishte thelbësor. Pas çdo stërvitjeje vinte në shtëpinë time dhe rrinte gjysmë ore me mua. Çdo ditë. Ishte mënyra e tij për të më bërë të ndihem pjesë e grupit. Nuk e kam thënë kurrë më parë, por këtë e mbaj në zemër.”

Ndërsa Spalletti ju la jashtë pas ndeshjes me Veronën…

“Më thirri në zyrë dhe më tha se donte të më rilançonte. ‘Çfarë duhet të bëj për të rikthyer një nga mbrojtësit më të mirë të kampionatit?’, më tha. Fillimisht më besoi. Pastaj, pas asaj ndeshjeje të keqe me Veronën, vendosi të mos më aktivizonte më. Më thirri dhe më tha se duhej të largohesha, se niveli im ishte për një skuadër si Frosinone. Pra, Serie B. Ishte e rëndë, jo për vendimin, por për mënyrën. U ndjeva i poshtëruar. Nuk besoj se jam i vetmi që kam pasur debate me të…”

Aty, praktikisht, mbaroi aventura me Romën. Sot, a pajtoheni me këtë apo mbetet peng?

“Më vjen keq që nuk munda të qëndroja në atë nivel. Dhashë gjithçka, por nuk mjaftoi. Fitorja ime ishte të kthehesha në fushë. Pastaj stërvitja u bë e dëmshme. Roma nuk më rinovoi kontratën dhe u ktheva në Brazil. Pas disa vitesh, u tërhoqa.”

Çfarë kujtoni nga Roma juaj?

“Ishim shumë të fortë, lojtarë me nivel botëror. Sot një ekip i tillë do të fitonte tri kampionate radhazi. Salah, Edin, Francesco, De Rossi, Benatia, Nainggolan e shumë të tjerë. Thjesht patëm fatin e keq të ndesheshim me një Juventus të jashtëzakonshëm që nuk humbiste kurrë.”

Lojtari më i fortë me të cilin keni luajtur?

“Do të doja të thosha Totti, por e dini… kam luajtur me Ronaldon. Ai ka qenë gjithmonë idhulli im, të ndaja dhomën e zhveshjes me të ishte e pabesueshme. Në katër hapat e parë nuk e kapje dot kurrë, madje kishte bark!”

Si është sot marrëdhënia juaj me futbollin?

“Deri para dy vitesh nuk mund të shihja as një ndeshje. Më merrej fryma. Tani kam filluar sërish ta shikoj, madje do të doja të bëhesha trajner. Në stol dua të rimarr atë që më mori fati si futbollist.”

Mendoni shpesh si do të ishte sikur…?

“Çdo ditë, më besoni. Për shumë kohë e pyeta veten pse më ndodhi mua. Tumori m’i fshiu ëndrrat. Mendoj se do të kisha fituar titullin me Romën dhe do të kisha luajtur Botërorin me Brazilin.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco