Sylvinho, i lumtur: Një ditë e veçantë, shumë sinjale pozitive dhe një ‘dhimbje koke e bukur’ për trajnerin

Sylvinho, i lumtur: Një ditë e veçantë, shumë sinjale pozitive dhe një ‘dhimbje koke e bukur’ për trajnerin

21:46, 14/10/2025

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, foli pas fitores bindëse 4-2 ndaj Jordanisë në stadiumin “Air Albania”, një ndeshje miqësore që solli shumë elementë pozitivë për skuadrën kuqezi dhe një moment historik për Elseid Hysajn.

“Është një ditë speciale, jo vetëm për rezultatin, por edhe për Hysajn. Ai ka arritur një rekord të rëndësishëm për Kombëtaren dhe për vendin. Është një lojtar që gjithmonë jep gjithçka dhe ka bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm. Komplimente për të dhe familjen e tij,” tha Sylvinho, duke vlerësuar mbrojtësin shkodran që arriti 94 ndeshje me fanellën kuqezi.

Analiza e ndeshjes dhe eksperimentet taktike

Tekniku brazilian u shpreh se ndeshja i ka shërbyer për të parë disa alternativa të reja në skuadër:

“Dajsinani bëri shumë mirë në portë, më pëlqeu edhe Klisman dhe Gripshi, që ka cilësi teknike të rëndësishme. Sot provuam edhe Bajramin në krahun e djathtë dhe pamë gjëra interesante. Ishte e rëndësishme të fitonim, por edhe të shihnim në veprim disa lojtarë që mund të ndihmojnë në të ardhmen.”

“Një dhimbje koke e mirë për trajnerin”

Sylvinho u shpreh se konkurrenca në Kombëtare është e shëndetshme:

“E kam thënë gjithmonë, Kombëtarja është e hapur. Kemi një listë me 10 lojtarë që i ndjekim rregullisht. Sa më shumë ‘dhimbje koke’ të ketë një trajner, aq më mirë është për skuadrën. Kjo tregon se kemi alternativa dhe konkurrencë të fortë.”

Vlerësim për Hoxhën dhe Mihajn

Trajneri kuqezi foli me superlativa për Arbër Hoxhën, autor i një goli të bukur:

“Hoxha po rritet shumë si lojtar. Pavarësisht një dëmtimi të lehtë, erdhi, punoi fort dhe bëri një ndeshje të shkëlqyer. Jam shumë krenar për të. Mihaj është pjesë e projektit tonë prej dy vitesh, njeh mirë konceptet e skuadrës dhe e shfrytëzoi si duhet mundësinë që mori. Luajti një ndeshje të sigurt.”

Për Mehmetin dhe zgjedhjet e listës

Në fund, Sylvinho sqaroi edhe çështjen e Mehmetit, që këtë herë nuk u grumbullua:

“Duhet të jem i kujdesshëm kur flas për lojtarë që nuk janë këtu. E kam parë personalisht te Bristol City, por në krahun e majtë kemi shumë konkurrencë: Hoxha, Uzuni, Bajrami, Broja, Muçi… janë të gjithë kandidatë. Ne përzgjedhim sipas kundërshtarit dhe ekuilibrave që duam në skuadër.”

Sylvinho e mbylli me tone optimiste:

“Jemi në rrugën e duhur, ekipi po rritet dhe loja po përmirësohet. Këta djem po japin gjithçka për fanellën kuqezi, dhe kjo më bën shumë krenar.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco