Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Sylvinho, foli në prag të miqësores kundër Jordanisë, ku pritet t’u jepet më shumë hapësirë lojtarëve të rinj dhe atyre me më pak minuta. Ai theksoi se ndeshjet miqësore nuk duhen marrë lehtë, ndërsa u ndal edhe te objektivi i “playoff”-it, mbështetja e tifozëve dhe mesazhet pas fitores historike ndaj Serbisë.
Në miqësoren me Jordaninë, do t’u jepet mundësia të rinjve apo atyre që kanë më pak minuta?
Nuk është e lehtë. Unë nuk besoj në miqësore, sepse gjithmonë luhet për të fituar. Por nuk mund të luajnë 11 lojtarë që nuk kanë qenë kurrë bashkë. Po punojmë shumë që nga mëngjesi i sotëm dhe edhe nesër mund të zbresin të gjithë në fushë. Duhet të vlerësojmë edhe lojtarët që janë prej një viti këtu dhe kanë luajtur një apo dy ndeshje. Ne i vlerësojmë të gjithë, edhe dy të rinjtë, Çake dhe Gripshi, po bëjnë shumë mirë. Të shohim nesër — mund të jetë një formacion miks.
Tani që jeni më i ftohtë, a i keni bërë llogaritë për “playoff-in”?
Kthimi ka qenë i vështirë. Kishin dalë njerëz për të na pritur dhe nuk ishte një ndeshje e lehtë. Pjesëmarrja në Europian na ka ndihmuar shumë si përvojë, për të pasur qasjen e duhur. Llogaritë i bëjmë me ndeshjet tona, ato të nëntorit. Jemi të lumtur për fitoren dhe për faktin që, për herë të parë, Shqipëria është kaq pranë “playoff”-it. Kjo është diçka historike.
Sa e ndieni veten shqiptar nga 1 deri në 10 dhe a keni një mesazh për tifozët?
Pas kualifikimeve në Europian ndihesha shqiptar me notën 7, tani ndoshta 8.5. Para se të flas për tifozët, dua të theksoj se kam 24 futbollistë dhe të gjithë mund të luajnë titullarë. Jam trajner, por edhe një person inteligjent, e kuptoj gjithmonë rëndësinë e ndeshjeve. Qasja jonë duhet të jetë e tillë: të jemi 100 për qind të përqendruar në dy ndeshjet e mbetura. Nuk duhet të na mungojë kurrë shpirti dhe zemra. Mbështetja e tifozëve na bën më të fortë. Mund të humbasim një gol ose një mundësi, por kurrë nuk na ka munguar dëshira, shpirti dhe zemra.
Mund të na tregoni urimin më të bukur që keni marrë pas fitores me Serbinë?
Të gjitha urimet janë të rëndësishme, veçanërisht ato nga familja. Dhjetë ditë më parë kam folur me Roberto Mancinin. Ai më dërgoi një mesazh pas ndeshjes: “Të lumtë, Sylvinho, keni bërë shumë mirë në këtë ndeshje.”
E keni filluar të mendoni për kundërshtarët e mundshëm në “playoff”?
Duhet të jem i sinqertë: jo. E njoh mirë veten time. Kemi një ndeshje nesër dhe ua përsëris të gjithëve: nuk besoj në miqësore, por në mundësitë që ato ofrojnë. Mendja ime është vetëm te hapat e ardhshëm, deri në nëntor.
Para ndeshjes me Serbinë, kishte shumë opinionistë që mendonin se duhet të largoheshit, ndërsa tani situata ka ndryshuar...
Unë nuk mendoj për këto gjëra. Kam një përvojë 15-vjeçare si futbollist dhe 5-6 vite si trajner. Jemi mësuar me vlerësime të tilla, kjo është jeta. E njoh Rey Manajn që nga viti 2014, kur ishim tek Interi. Ai është golashënuesi më i mirë aktualisht te Shqipëria. Kështu është futbolli: kur fiton, vlen; kur humbet, jo. Por duhet të jemi inteligjentë dhe të mos flasim për gjëra të panevojshme.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: