Ndeshja e parashikuar në Friuli mes Italisë dhe Izraelit është cilësuar si një ngjarje me rrezikshmëri shumë të lartë, pavarësisht shpresave për një armëpushim në Gaza. Sipas urdhëresës së nënshkruar nga prefekti i Udines, Domenico Lione, niveli i alarmit është vendosur në nivelin 4: alarm maksimal. Qeveria italiane, në bashkëpunim me institucionet lokale, ka hartuar një plan sigurie të posaçëm për të shmangur çdo rrezik të mundshëm gjatë ndeshjes.
Masa të rrepta sigurie
Autoritetet kanë paralajmëruar se ndeshja mund të shfrytëzohet nga fraksione të dhunshme për qëllime proteste apo përplasje, ndaj janë vendosur kufizime të rrepta për aktivitetet tregtare ditën e ndeshjes, e cila luhet të martën. Nga ora 8:00 deri në 24:00, ndalohet shitja e produkteve në shishe qelqi, kanaçe apo qeramike, dhe të gjitha mobilimet e jashtme, si karrige, tavolina apo vazo lulesh, duhet të hiqen për të mos u përdorur si armë të improvizuara nga persona të papërgjegjshëm.
“Zonë e kuqe” përreth stadiumit
Sot në Udine zhvillohet mbledhja e Komitetit për Rendin dhe Sigurinë Publike, ku po përcaktohen detajet përfundimtare të planit. Në të njëjtën ditë pritet të mbahet edhe një manifestim protestues, dhe prurjet e protestuesve pritet të shtohen afër orës së ndeshjes. Demonstruesit do të mbahen larg stadiumit, ndërsa tifozët që kanë bileta do të kalojnë kontrolle të shumëfishta sigurie. Kontrolli paraprak do të nisë që një kilometër larg portave, me pajisje speciale kundër terrorizmit për zbulimin e armëve apo eksplozivëve. I gjithë rrethimi do të jetë një zonë e kuqe e mbrojtur rreptësisht.
Izraeli në fshehtësi totale
Kombëtarja izraelite, që nesër luan në Oslo ndaj Norvegjisë, do të akomodohet në një vend sekret dhe nuk do të përdorë aeroportin më të afërt me Udinen, atë të Ronchi dei Legionari. Zbritja e tyre pritet të bëhet në Venedik ose në Slloveni, por vendimi përfundimtar ende nuk është marrë. I gjithë delegacioni do të jetë nën mbikëqyrje 24-orëshe gjatë gjithë qëndrimit në Itali.
Prania e Mossad-it, shërbim sekret izraelit, ka shkaktuar polemika politike në Itali. Ministria e Brendshme ka mohuar se ka dhënë leje zyrtare për hyrjen e agjentëve, megjithatë burime të sigurta konfirmojnë se Mossad-i do të dërgojë njerëzit e vet, siç ndodh zakonisht në çdo ngjarje ndërkombëtare që përfshin qytetarë izraelitë, çështje kjo që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare të Izraelit.
Stadium pothuajse bosh
Pamja në tribuna pritet të jetë thuajse e zbrazët. Stadiumi i Udines, me kapacitet prej 25 mijë vendesh, deri të enjten kishte shitur vetëm rreth 5 mijë bileta. Një situatë e paprecedentë për qytetin, i cili do të presë rreth një mijë forca policore të ardhura nga i gjithë rajoni, të ndara midis mbulimit të protestës dhe sigurisë brenda e jashtë stadiumit.
Dy helikopterë do të patrullojnë nga ajri, ndërsa kontrollet do të jenë më të ashpra se kurrë më parë. Edhe vitin e kaluar, kur Izraeli ishte mysafir në këtë qytet, u morën masa sigurie, por asgjë nuk krahasohet me planin aktual.
Zgjedhja e Udines si vend zhvillimi të ndeshjes nuk është rastësore: pozicioni i saj periferik e bën më të lehtë menaxhimin e sigurisë. Megjithatë, në Ministrinë e Brendshme italiane askush nuk është i qetë, sepse ndeshja Itali–Izrael do të luhet nën një klimë tensioni të jashtëzakonshëm, ku çdo detaj po vëzhgohet me kujdes ekstrem.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: