Zhvillim i papritur te Partizani. Drejtori sportiv Arbër Abilaliaj ka njoftuar dorëheqjen e tij nga posti që mbante prej disa sezonesh, vetëm pak orë pas humbjes në derbin ndaj Tiranës.
Lajmin e ka bërë publik vetë Abilaliaj përmes një postimi në “Instagram Story”, ku ka ndarë emocionet e fundit të këtij rrugëtimi me klubin e kuq:
“Sot mbyllet një kapitull shumë i rëndësishëm i jetës sime profesionale. Çdo rrugëtim ka fundin e vet, por kujtimet dhe ndjesitë që më ka dhënë Partizani do të mbeten gjithmonë brenda meje. Një herë i kuq, përgjithmonë i kuq.”
Abilaliaj, që ka qenë një nga figurat kyçe të projektit sportiv të Partizanit vitet e fundit, largohet në një moment delikat për klubin, i cili kërkon të rigjejë stabilitetin pas një serie rezultatesh të dobëta dhe presioni në rritje nga tifozët.
Ende nuk dihet se kush do ta pasojë në detyrë ish-sulmuesin e të kuqve, ndërsa klubi pritet të dalë me një komunikatë zyrtare në orët në vijim.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: