Gianluigi Donnarumma, portieri i Manchester City-t, ka folur për Sky Sport në prag të përballjes së Champions League kundër Napolit, një ndeshje që për të ka edhe një ngarkesë të veçantë emocionale.
“Kam pasur nevojë për energji dhe stimuj të rinj, ishte shumë e rëndësishme për mua. Mbërrita në një klub të madh, unik, që më ka pritur si në një familje. Këtu ka një grup të jashtëzakonshëm dhe ishte pikërisht ajo që më duhej: të rifilloja në një ambient si Manchester City dhe të punoja me Guardiolën, që është maksimumi për një lojtar”, u shpreh gardiani italian.
I pyetur për marrëdhënien me Erling Haaland, Donnarumma tha:
“Erling është një robot, por mbi të gjitha një djalë i mrekullueshëm. E njihja edhe më parë dhe kur mësoi se mund të vija këtu, u tregua shumë i lumtur. Skuadra është shumë e bashkuar, ka të rinj që kanë nevojë të rriten dhe për ta nuk ka trajner më të mirë se Guardiola. Të gjithë më kanë pritur shkëlqyeshëm, edhe stafi është i jashtëzakonshëm”.
Për Napolin, kundërshtarin e tij të radhës, portieri nuk e fshehu emocionin:
“Të luaj kundër tyre në Champions është emocionuese, do të ndiej aromën dhe shijen e shtëpisë. E di që do të jetë një ndeshje e vështirë, e njoh mirë ambientin, mister Conten, si edhe disa shokë të Kombëtares. Kam folur edhe me Di Lorenzon, me të cilin kam një raport të shkëlqyer, madje kemi bërë shaka për këtë ndeshje. Është një nder dhe një krenari e madhe. Shpresoj që Napoli të shkojë sa më larg, e meritojnë të gjithë, por natyrisht pas kësaj ndeshjeje (qesh)”.
Sa i përket kritikave për lojën me këmbë, Donnarumma u tregua i qartë:
“Është normale që të flitet, por për mua e rëndësishme është të tregoj veten në fushë dhe të përmirësohem ndeshje pas ndeshjeje. Me Guardiolën mund ta bëj këtë, nga çdo pikëpamje”.
Në fund, me humor, iu përgjigj një pyetjeje rreth Topit të Artë:
“Çdo gjë është organizuar tashmë (qesh)”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: