Ish-mesfushori i Sampdorias dhe kampion bote në vitin 1982 me Italinë, por pa luajtur asnjë minutë, Beppe Dossena, ka treguar disa episode të rralla nga jeta e tij mes sportit, politikës dhe përvojave personale.
“Trajneri Bearzot preferonte lojtarë pa interesa jashtë futbollit, por unë kisha gjithnjë dëshirë të mësoja dhe të njihja botën. Miqësia me Bettino Craxi-n më dha shumë mësime. Kujtoj vizitat në Hammamet me Cossiga-n, ku ndihesha si fëmijë në një dyqan lodrash,” – tha Dossena.
Ai kujtoi edhe medaljen e humbur të Botërorit ’82: “Federata nuk ma ka kthyer kurrë, por nuk jetoj me kujtime. E njëjta gjë më ndodhi edhe kur fitova Kupën e Afrikës U-20 me Ganën. Medalja u zhduk. Historia ime më mëson të mos mbetem peng i titujve.”
Dossena foli edhe për periudhën e artë me Sampdorian e Mantovanit, Viallit dhe Mancinit: “Ishte një dhomë zhveshjeje unike. Mantovani ishte presidenti më i madh që kam njohur ndonjëherë.” Për Viallin kujtoi edhe një episod në Festivalin e Sanremos: “Ishte shoku ideal për çdo aventurë.”

Pasioni për politikën nuk mungoi: një diplomë në shkencat politike, kandidimi me PSI dhe miqësia me Craxi-n. “Kjo gjë e bëri Bearzot të ftohej me mua, sepse ai donte një sportist total, vetëm futboll dhe asgjë tjetër.”
Në intervistë, Dossena tregoi edhe për fëmijërinë e vështirë: “Në Torino, në Porta Palazzo, më duhej të kaloj mes rrahjeve e prostitutave për të shkuar në stërvitje. Driblova gjithçka që më dilte përpara. Kjo më forcoi.”
Në karrierën e tij si trajner, Dossena ka përjetuar aventura në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine, por edhe në Shqipëri, ku për një periudhë të shkurtër, prej vetëm katër muajsh, drejtoi Kombëtaren kuqezi. Ai u largua papritur, duke ‘tradhtuar’ drejtuesit e FSHF-së që i kishin dhënë besim.
Për Sampdorian e sotme, ish-mesfushori nuk kurseu kritikat: “Kanë gabuar gjithçka, nga menaxhimi financiar te tregu i lojtarëve. Më mirë një falimentim i hapur sesa iluzione të kota.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: