José Mourinho është gati të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij, këtë herë në shtëpinë e parë: Benfica. Sipas të përditshmes portugeze ‘A Bola’, marrëveshja mes klubit luzitan dhe trajnerit 62-vjeçar është arritur dhe firma pritet në orët e ardhshme. Kontrata do të ketë afat deri në verën e vitit 2027, ndërsa detajet ekonomike janë drejt finalizimit.
Pas shkarkimit nga Fenerbahçe në fund të gushtit, pikërisht pas humbjes në Champions ndaj Benficës, Mourinho ka pranuar të mbyllë përfundimisht çështjen e prishjes së kontratës me klubin turk, duke hapur rrugën për rikthimin e tij në Lisbonë. Për të përshpejtuar procesin, “Special One” ka vendosur të shkurtojë pushimet dhe pritet të mbërrijë në Portugali mes së mërkurës dhe së enjtes. Debutimi i tij në pankinën e bardhekuqëve është planifikuar menjëherë të shtunën, në ndeshjen ndaj Aves SAD.
Së bashku me Mourinhon do të punojnë tre ndihmës: João Tralhão, António Dias dhe Pedro Machado. Tralhão është një emër i njohur në ambientin e Benfica-s, pasi ka kaluar gati 20 vite në sektorin e të rinjve të klubit.
Pas aventurave me Porton, Chelsea-n, Interin, Real Madridin, Manchester United, Tottenhamin, Romën dhe së fundmi Fenerbahçen, Mourinho rikthehet aty ku filloi gjithçka, për të drejtuar skuadrën që mbart një histori të madhe dhe ambicie europiane.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: