Pas barazimit pa gola në javën e parë ndaj Bylisit, Tirana ka pësuar një disfatë të rëndë në javën e dytë të Kategorisë Superiore, duke u mposhtur 3-1 nga Vora, skuadër debutuese në elitë.
Ndeshja nisi me një ritëm të lartë, ku të dyja skuadrat provuan të gjenin golin. Bardheblutë patën një rast ideal në minutën e 20-të, kur Haxhiu doli i vetëm përballë portierit, por shpërdoroi mundësinë duke gjuajtur jashtë. Ky gabim do t’i kushtonte shtrenjtë Tiranës.
Në minutën e 34-t, pas një goditjeje këndi, topi u ndal me dorë nga Rafa dhe gjyqtari Lata akordoi penallti për Vorën. Nga pika e bardhë, Karrica u tregua i saktë, duke e dërguar skuadrën e tij në avantazh 1-0.
Vetëm pak çaste para fundit të pjesës së parë, Tabeku pati mundësinë të barazonte, por gjuajtja e tij kaloi mbi traversë. Në fillim të fraksionit të dytë, Vora goditi sërish. Në minutën e 46-të, Bardhi harkoi perfekt nga e djathta dhe Karrica, i pozicionuar mirë, dyfishoi shifrat në 2-0.
Dominimi i vendasve vazhdoi dhe në minutën e 50-të ata rrezikuan sërish, por këtë herë portieri Tafas shmangu golin e tretë. Megjithatë, ky nuk vonoi shumë: në minutën e 70-të, Henri Zuna shënoi një gol të bukur për 3-0, duke vulosur në thelb fatin e takimit.
Tirana arriti të ngushtonte diferencat vetëm në minutën e 85-të me Eliton që shënoi për 3-1, por goli nuk mjaftoi për të ndryshuar rrjedhën.
Me këtë fitore historike, Vora dërgon një sinjal të fortë për rivalët, ndërsa Tirana mbetet në krizë pas dy javësh, me vetëm një pikë në tabelë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: