Atletico Madridi ka kaluar nga fjalët te faktet për Nico Gonzalez. Pas interesimit të ditëve të fundit, klubi spanjoll ka paraqitur ofertën e parë zyrtare për anësorin argjentinas të Juventusit, i cili mund të largohet nga Torino vetëm një vit pas mbërritjes së tij. Në orët e ardhshme priten kontakte të reja mes palëve, me bardhezinjtë që tashmë janë të hapur për shitjen e ish-lojtarit të Fiorentinës.
Megjithëse negociatat mes klubeve ende nuk kanë marrë hov, Gonzalez ka arritur prej ditësh marrëveshje totale me ekipin e Diego Simeones, që dje nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në fushën e Alavesit. Çështja kryesore mbetet formula e transferimit, pasi Juventusi kërkon një shitje përfundimtare dhe nuk pranon më pak se 30 milionë euro.
Nëse kalimi i Nico-s në Spanjë do të zyrtarizohet, drejtori i përgjithshëm i bardhezinjve, Comolli, është gati të bëjë lëvizjen vendimtare për Edon Zhegrovën. Sulmuesi kosovar ka arritur tashmë akordin personal me Juventusin, por transferimi i tij mund të ndodhë vetëm në rastin e largimit të argjentinasit. Sot priten kontakte të reja me Lille për të përshpejtuar operacionin.
Janë orë të nxehta në shtëpinë bardhezi, me merkaton që mund të ndizet edhe më shumë në këto 48 orë të fundit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: