Një episod krejt i pazakontë ka shoqëruar ndeshjen Napoli–Cagliari. Në një duel të fortë me Lorenzo Lucca-n, sulmues i gjatë 201 centimetra, mbrojtësi kolumbian Yerry Mina u gjend në një situatë aspak të zakonshme: pas një përplasjeje, Lucca përfundoi duke u kapur pas pantallonave të mbrojtësit, i cili mbeti krejtësisht pa mbathje.
Pamjet, të kapura nga kamerat e transmetimit televiziv, u përhapën menjëherë në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të shumta dhe jo pak humor, jo vetëm në Itali, por edhe në mediet sportive të huaja. Episodi, ndonëse i rastësishëm, e vuri për disa çaste në qendër të vëmendjes Mina-n, i cili ndryshe njihet për fizik të fortë dhe lojë të ashpër në mbrojtje.
Kjo skenë solli në mendje një precedent të famshëm në Serinë A: në vitin 2008, gjatë ndeshjes Catania–Torino, Gianvito Plasmati kishte zgjedhur me vetëdije të ulte pantallonat për të penguar portierin Matteo Sereni gjatë një goditjeje dënimi të Giuseppe Mascara-s. Ajo lëvizje e pazakontë u pasua me një gol të mrekullueshëm nga Mascara, pjesë e një ‘triplete’ që i dha fitoren 3-2 skuadrës siciliane.
Në rastin e Mina-s, gjithçka ishte aksidentale, por mjaftoi për të bërë xhiron e botës dhe për t’i dhënë ndeshjes një moment që tifozët nuk do ta harrojnë lehtë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: