Jannik Sinner e ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën e tij në US Open 2025, duke treguar se është gati për të mbrojtur statusin e tij si numri një i botës. Tenisti italian triumfoi me rezultat bindës 6-1, 6-1, 6-2 ndaj çekut Vit Kopriva, duke e mbyllur ndeshjen për vetëm 1 orë e 38 minuta.
Sfida nuk pati histori: Sinner dominoi nga fillimi deri në fund, duke mos humbur asnjëherë shërbimin dhe duke shpëtuar të dy mundësi për ‘brake’ që kundërshtari arriti të krijonte në setin e tretë. Në fund, qetësia dhe saktësia e italianit i dhanë atij një fitore të pastër dhe kalimin në raundin e dytë, ku do të përballet me fituesin e duelit mes Alexei Popyrin dhe Emil Ruusuvuori.
Pas ndeshjes, italiani u shfaq i kënaqur:
“Është fantastike të kthehem këtu. Atmosfera është e mrekullueshme dhe ndihem mirë fizikisht. Jam përgatitur shumë pas tërheqjes në Cincinnati dhe jam i lumtur që e nisa turneun kështu,” – tha ai.
Sinner, fitues i edicionit të vitit të kaluar, e di se çdo turne është një sfidë e re: “Çdo vit është ndryshe. Shpresoja të filloja mirë dhe ia dola. Tani jam i përqendruar te raundi i ardhshëm,” – përfundoi numri një i botës.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: