Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Broja, ka nisur zyrtarisht aventurën e tij me Burnley-n. Futbollisti 23-vjeçar do tw jetw sot titullar në ndeshjen e Kupës së Ligës ndaj Derby County-t, duke veshur për herë të parë fanellën e skuadrës së re.
Broja u transferua te klubi anglez i Premier League dy javë më parë, por trajneri Scott Parker preferoi ta linte jashtë ndeshjeve të para, për të shmangur çdo rrezik dëmtimi, pasi lojtari vinte pa një fazë të plotë përgatitore. Sot, tekniku i besoi një vend në formacionin bazë, duke i dhënë mundësinë të tregojë potencialin e tij që në fillim.
Ndërkohë, Burnley ka bërë publik edhe numrin e fanellës që Broja do të mbajë këtë sezon: sulmuesi shqiptar do të luajë me numrin 27, një simbol i ri në rrugëtimin e tij futbollistik.
Pritshmëritë për Brojën janë të larta, si nga klubi, ashtu edhe nga tifozët, të cilët shpresojnë që ai të bëhet një nga pikat më të forta të repartit ofensiv të skuadrës. Debutimi i tij titullar shënon hapin e parë drejt një sezoni ku kërkohet kontribut i madh për objektivat e Burnley-t në Premier League dhe kompeticionet e kupave.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: