Një ngjarje e rëndë ka tronditur botën e volejbollit italian. Asja Cogliandro, një volejbolliste me pesëmbëdhjetë vite karrierë mes Serie A1 dhe A2, ka deklaruar se është larguar nga skuadra e saj, Perugia, pasi mbeti shtatzënë. Në një intervistë për të përditshmen La Stampa, ajo rrëfen dhimbjen dhe zhgënjimin e përjetuar:
“Një histori e madhe dashurie që përfundoi me një dhunë psikologjike të pakuptueshme”.
Cogliandro shpjegon se marrëdhënia me klubin ishte fantastike dhe se kishte rinovuar kontratën pas ngjitjes në Serie A1, në maj të vitit 2024, duke qenë e vetëdijshme se do të kontribuonte më shumë me përvojën dhe karakterin e saj sesa me rolin si titullare.
“E dinim që nuk do të isha titullare, sepse ishim katër në rolin tim, por kur duhen dy apo tri britma për të përforcuar ekipin, unë isha ideale. Ata e dinin. Po të mos isha shtatzënë, hapësirat e mia do t’i kisha pasur.”
Ajo shton se kontrata ishte firmosur, marrëdhënia me presidentin e klubit ishte e përditshme dhe se Perugia e kishte ndihmuar të rritej jo vetëm si lojtare, por edhe si njeri.

Reagimi i FIPAV dhe i Ligës së Femrave
Pas denoncimit publik, Federata Italiane e Volejbollit (FIPAV) ka reaguar me një deklaratë zyrtare përmes presidentit Giuseppe Manfredi:
“E lexova me hidhërim këtë çështje. I shpreh Asjas solidaritetin tim personal dhe të gjithë Federatës. Materniteti nuk mund të shihet kurrë si faj apo pengesë për karrierën e një sportisteje.”
Manfredi përmendi edhe një nismë konkrete të ndërmarrë nga federata: fondin “Materniteti është i të gjithëve”, që mbështet sportistet që bëhen nëna.
Edhe Lega Volley Serie A Femminile ka mbështetur publikisht Cogliandro, duke e cilësuar rastin si të trishtë dhe të evitueshëm.
“Materniteti është një e drejtë dhe diçka e bukur. Kjo situatë duhej trajtuar me më shumë ndjeshmëri dhe humanizëm”, – u shpreh presidenti Mauro Fabris, duke theksuar angazhimin e ligës për mbrojtjen e jetës dhe të drejtave të grave në sport.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në Itali dhe ka risjellë në vëmendje nevojën për më shumë mbrojtje institucionale të sportisteve në raste të tilla.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: