Kanë kaluar plot 16 vite nga një nga shkëmbimet më të bujshme në historinë e futbollit: ai mes Samuel Eto’o dhe Zlatan Ibrahimovic, ku Massimo Moratti dhe Joan Laporta finalizuan marrëveshjen që çoi kamerunasin tek Interi dhe suedezin te Barcelona, shoqëruar me një pagesë shtesë prej 50 milionë eurosh në favor të zikaltërve.
Ishte 27 korriku i vitit 2009 dhe sot Samuel Eto’o e ka përkujtuar atë ditë me një postim në rrjetet sociale. "Afera më e bukur në historinë e futbollit", shkroi ish-sulmuesi i Interit, duke taguar klubin zikaltër, Barcelonën dhe... vetë Zlatan Ibrahimovic-in.
Një detaj që nuk mund të kalonte pa u vënë re, pasi gjithë ky operacion u bë sepse Ibra kërkonte me ngulm të fitonte Ligën e Kampioneve, trofe që atë sezon përfundoi në duart e Interit dhe u ngrit nga Javier Zanetti në qiellin e Madridit.
Postimi i Eto’o-së ka ngjallur menjëherë reagime, ndër të cilat më pikanti ishte ai i ish-shokut të skuadrës, Marco Materazzi. Ish-mbrojtësi i njohur, gjithmonë i gatshëm për të thumbuar Ibrahimovic-in, reagoi me tre emoji të kupave dhe tri fytyra që qeshin me lot, një mënyrë e qartë për të kujtuar ‘tripletën’ historike të vitit 2010 dhe për të ngacmuar rivalin e vjetër.
Një moment nostalgjik, por edhe plot humor e thumbime, që rikthen në vëmendje një nga kapitujt më të paharrueshëm të futbollit modern.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: