Marcus Rashford ka veshur për herë të parë fanellën e Barcelonës, duke hedhur hapat e parë në një kapitull të ri të karrierës së tij. Sulmuesi anglez debutoi me klubin katalanas në miqësoren verore kundër Vissel Kobe, ku skuadra e Hansi Flick triumfoi 3-1.
I transferuar këtë verë nga Manchester United pas një periudhe huazimi tek Aston Villa, Rashford mori minutat e para në ndeshjen që shënoi edhe startin e përgatitjeve për sezonin e ri. Edhe pse nuk arriti të gjejë rrugën e rrjetës, paraqitja e tij u ndoq me interes, si nga tifozët, ashtu edhe nga stafi teknik.
Pas ndeshjes, vetë futbollisti ndau emocionin e tij përmes një postimi në rrjetet sociale: “Minutat e para me fanellën e Barcelonës! Forca!”, duke shtuar edhe dy ‘emoji’ zemre, një të kuqe dhe një blu, për të shprehur lidhjen me ngjyrat e reja.
Trajneri Flick pritet t’i japë kohë Rashfordit për të fituar ritmin dhe për t’u ambientuar me filozofinë e lojës së skuadrës. Shansi i radhës do të vijë në miqësoren ndaj Seoul FC, ku pritet një hap përpara në aspektin individual.
Ndërkohë, një tjetër emër që tërhoqi vëmendje ishte Roony Bardghji. I sapoardhur nga Kopenhaga, 19-vjeçari arriti të shënonte dhe të linte përshtypje të mira në debutimin e tij. Flick u shpreh me kujdes për të: “Varet nga ai. Nëse luan mirë…” – duke lënë të hapur garën për minuta në një skuadër plot konkurrencë.
Barcelona, me përzierjen mes “yjeve” të afirmuar dhe talenteve të rinj, duket e vendosur për të ndërtuar një sezon me objektiva të larta.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: