Pioli respekton rivalin: Distanca me Interin është reale

Pioli respekton rivalin: Distanca me Interin është reale

19:12, 29/03/2024

Milani do të sfidojë Fiorentinën të shtunën në mbrëmje në Firence, me synimin për të marrë një tjetër fitore, që do t’i afronte edhe më shumë me sigurimin e një vendi në zonën Champions dhe njëkohësisht do të shtynte edhe më shumë festën e titullit për Interin.

Trajneri Stefano Pioli doli në konferencën e zakonshme për shtyp ku paralajmëroi të tijtë se i pret një përballje e vështirë në Firence, teksa evidentoi edhe mungesën e Theo Hernandez.

“Na pret një ndeshje e vështirë, pasi do të gjejmë përballë një kundërshtar shumë të bashkuar, edhe për faktin që do të jetë ndeshja e parë pas ndarjes nga jeta të Joe Barones. Ndaj Fiorentinës kemi vuajtur gjithmonë, pasi kanë një skuadër cilësore dhe një trajner shumë të mirë.

Do të na mungojë Theo, që na jep shumë dinamikë dhe variacione të ndryshme loje, por do të mundohemi të shfrytëzojmë eksperiencën e Florenzit në të dy fazat e lojës”, tha Pioli.

Interi ka 14 pikë më shumë se Milani, distancë të cilën Pioli e quan reale, megjithatë bën thirrje që futbollistët e tij të përqendrohen te ndeshjet e mbetura, për t’i bërë një mbyllje sa më të mirë sezonit.

“Distanca me Interin është reale, pasi ata bënë shumë mirë sidomos gjatë këtij viti, ndërsa ne kemi lënë shumë pikë. Megjithatë javët e fundit jemi afruar dhe duhet të përqendrohemi të bëjmë më të mirën për të mbyllur sezonin në mënyrë perfekte. Kemi 10 ndeshje në kampionat dhe shpresoj edhe 5 në Europa League, të cilën duam ta fitojmë”, tha Pioli.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco