Ndeshje historike për AF Elbasanin në këtë kompeticion, Merxha: Na intrigon edhe Kupa

Ndeshje historike për AF Elbasanin në këtë kompeticion, Merxha: Na intrigon edhe Kupa

11:00, 17/10/2023

Elbasani udhëton sot drejt Lezhës, atje ku e pret Besëlidhja. Bëhet fjalë për një ndeshje historike, sepse do të jetë e para për verdheblutë në Kupën e Shqipërisë. Që prej krijimit nuk kanë luajtur kurrë në këtë kompeticion, ndaj po bëhen gati që të lënë shenjë.

Kuptohet që fokusi kryesor mbetet kampionati, por edhe ky trofe i intrigon jo pak. Për këtë arsye, ndeshja me lezhjanët duhet të kalohet patjetër. Dhe mundësia është, pasi bëhet fjalë për ndeshje teke. Të paktën kështu shprehet në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, Eriol Merxha.

“Duam të ecim sa më shumë në Kupë dhe do të përpiqemi të marrim më të mirën në ndeshjen me Besëlidhjen. Ne do ta vlerësojmë siç bëjmë në çdo ndeshje, është Kupë apo kampionat, pak rëndësi ka. Më pas, se sa gjatë do të ecim në këtë kompeticion do t’ia lëmë kohës. Për momentin jemi të fokusuar të kalojmë këtë ndeshje”, u shpreh fillimisht krahu i djathtë i Nevil Dedes.

Merxha u ndal edhe te pauza e kampionatit për shkak të ndeshjeve të Kombëtares. Sipas tij, i bëri mirë skuadrës, sepse i dha mundësinë që të rikuperojë disa lojtarë që ishin të dëmtuar dhe shpreson që të jenë gati për ndeshjen me Flamurtarin në fundjavë.

“Mendoj që përgjatë kësaj periudhe pushimesh patëm mundësinë të rikuperojmë disa lojtarë që kanë pasur dëmtime dhe kanë munguar në ndeshjen e fundit. Nga ana tjetër, konsoliduam pjesën tjetër të grupit që ishin paksa më mbrapa me anën fizike. Sa i përket faktit që nuk e kemi pasur asnjëherë grupin të plotë, mund të them se ne kemi nevojë për të gjithë djemtë. Shpresojmë vetëm që në ndeshjen me Flamurtarin të jemi të gjithë”, vijoi më tej prononcimin e tij numri dy i pankinës elbasanase.

FLAMURTARI

Java e tetë në kampionat përkon me një ndeshje “zjarri” për Elbasanin, sepse do të luajë në transfertën vlonjate, aty ku do të kenë përballë Flamurtarin.

Merxha kërkon të heqë presionin, duke e konsideruar si një ndeshje që vlen vetëm tri pikë dhe asgjë më shumë, pasi përpara ka shumë javë kampionat.

“Flamurtarin e kemi vlerësuar, ashtu si edhe ekipet e tjera. Ka rëndësinë e një ndeshjeje jave, sepse kampionati është shumë i gjatë. Ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën si në çdo ndeshje dhe nuk do të shohim është Flamurtari apo ndonjë ekip tjetër”, mbylli prononcimin e tij për gazetën Eriol Merxha, i cili në karrierën e tij si futbollist, përveç Elbasanit, ka qenë edhe pjesë e vlonjatëve, ku edhe ka fituar Kupën e Shqipërisë në sezonin 2008-2009.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco