Nga avioni privat te shërbëtorët/ Detajet e çmendura të kontratës prej 'mbreti' të Neymar në Arabinë Saudite

Nga avioni privat te shërbëtorët/ Detajet e çmendura të kontratës prej 'mbreti' të Neymar në Arabinë Saudite

11:22, 16/08/2023

 

Ia kalon vetëm Cristiano Ronaldo për milionat e eurove që fiton në Arabinë Saudite, asnjë tjetër. Kuptohet, fokusohemi te pjesa e futbollit në këtë hierarki yjesh që lanë Europën për t’i mbushur xhepat sa nuk mbajnë më në vendin e Lindjes së Mesme, i cili po josh me kontrata faraonike jo vetëm veteranët, ata pranë “pensionimit” nga fushat e blerta, por edhe futbollistë me të ardhme përpara dhe të stërkonfimuar në klube prestigjioze.

Sidoqoftë, ashtu sikurse u bë transferimi më i shtrenjtë në historinë e futbollit botëror më 2017, duke kaluar nga Barcelona te PSG për 222 milionë euro, edhe kësaj here Neymar është shndërrruar në kryelajm për vendimin e lënies së Parisit dhe shkuarjes në Arabinë Saudite, për dy vitet e ardhshme, tek Al-Hilal.

Veç “thasëve” me para, kontrata e yllit brazilian përmban edhe privilegje të tjera të çmendura, që e bëjnë Neymar një “mbret” të ri në Arabinë Saudite. Këto detaje i zbulon “Gazzetta dello Sport” në shkrimin e mëposhtëm:

“Një jetë përtej imagjinatës. Kjo është ajo që e pret Neymar në Arabinë Saudite, me gjithë respektin për ata që besojnë se braziliani ka zgjedhur një “pension të artë” në moshën 31-vjeçare, duke hequr dorë nga prestigji dhe konkurrenca.

Pas nënshkrimit të kontratës me Al-Hilal, e cila mbërriti natën, bëhet realitet pseudonimi “O Ney”, që e ka shoqëruar nga shpërthimi te Santosi ende i mitur, mbi bazën e një rroge dhe përfitimesh përrallore. Shifrat dhe kushtet e firmosura nga braziliani për dy vitet e ardhshme lënë gjithkënd të habitur, aq sa më mirë të konsiderohet “mbreti” i ri i Arabisë Saudite.

Përcaktimi i saktë sasior i fitimeve të “O Ney” gjatë dy sezoneve të ardhshme bëhet një detyrë e vështirë edhe me kalkulator në dorë. Mes një baze fikse dhe të ndryshueshme, llogaria bankare e ish-lojtarit të Barcelonës dhe PSG-së (i cili do të prezantohet tek Al-Hilal zyrtarisht të mërkurën, më 16 gusht) do të rritet në mënyrë eksponenciale, duke arritur majat, që i ka arritur deri më sot vetëm Cristiano Ronaldo.

Al-Hilal do t’i garantojë atij një pagesë paksa më të ulët se ajo që mburret portugezi tek Al-Nassr. Për të qenë të saktë, Neymar do të marrë një minimum prej 80 milionë eurosh në vit, me mundësinë e dyfishimit të shumës me lehtësi falë bonuseve, shpërblimeve për arritjet (ekipore dhe personale) dhe marrëveshje të pasura tregtare. E thënë thjesht, ylli i Brazilit do të marrë në shtëpi rreth 320 milionë euro për 24 muajt e ardhshëm. Por jo vetëm.

Sauditët shkuan edhe më tej për ta bindur brazilianin të kalonte në shkretëtirë, ku do të jetë shoqëruesi i ish-lojtarit të Lazios, Milinkovic Savic, portugezit Ruben Neves dhe ish-lojtarit të Napolit, Koulibaly. Shifrës astronomike të mësipërme, duke përfshirë bonuset prej 80.000 euro për çdo fitore, në fakt do t’iu shtohen 500.000 euro të mira për çdo postim në Instagram, që synon promovimin e kampionatit saudit.

Pastaj janë privilegjet dhe avantazhet e garantuara, duke përfshirë një avion privat për ta përdorur pa asnjë kufizim, një pronë mbi një mijë metra katrorë me park privat, personel shërbimi në dispozicion 24 orë në ditë, tre kuzhinierë personalë në detyrë të përhershme, shoferë privatë dhe sipas thashethemeve të pakonfirmuara, edhe një kopsht zoologjik të vogël me kafshë ekzotike.

Nga e gjithë kjo do të përfitojë jo vetëm Neymar, por edhe familja e miqtë që synojnë ta vizitojnë, me garancinë se do të jetë në gjendje të bëjë një jetë pa asnjë kufizim (me kusht që kjo të bëhet me maturinë e duhur).

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco