Vazhdojnë problemet financiare te Sopoti, administratori Andri Çota nën akuzë

Vazhdojnë problemet financiare te Sopoti, administratori Andri Çota nën akuzë

14:33, 19/05/2023

Librazhdasit e Sopotit, edhe këtë edicion futbollistik nuk kanë mundur të shkojnë më larg se play off-i, duke u eliminuar që në fazën e parë ndaj Valbonës së Tropojës.

Situata është e njëjtë prej 5 sezonesh ku librazhdasit e nisin mirë kampionatin, duke bërë investime në merkato, me një buxhet në dispozicion prej 120 milionë lekësh (të vjetra), por në fund përfundojnë me minus në buxhet, duke mos likuiduar dot rrogat e fundit të lojtarëve.

Këtë fakt e konfirmojnë vetë lojtarët që shprehen se për këtë edicion kanë ende pa marrë pagën e muajit prill.

Disa të tjerë kanë pa marrë edhe pagat e muajit mars.

Arsyeja që ju jepet nga administratori, njëherazi dhe nënkryetar i Bashkisë Librazhd, Andri Çota, është se nuk kam buxhet pasi kemi pasur shpenzime të tjera.

Ndërkohë që nëse hyn në faqen e transparencës spending.data.al, rezulton që me urdhër të titullarit Andri Çota, janë akorduar 10 milionë lekë në degën e thesarit, më datë 4 Maj 2023, me përshkrimin ‘transferim fondi shtesë tek klubi Sopoti, për shpenzime operative për muajin Maj’.

Image

Pra, me dokumente, rezulton që vetë Çota ka akorduar 10 milionë për të likuiduar lojtarët dhe është po ai që ju thotë lojtarëve se nuk kam buxhet.

Të vetmet para që lojtarët pranojnë se kanë marrë në fillim të muajit janë dietat e prapambetura, pasi kishin kërcënuar përpara ndeshjes me Valbonën se nuk do të udhëtonin drejt Tropojës për ndeshjen e play off-it, nëse nuk do merrnin dietat e prapambetura.

Kështu për të mos rrezikuar, sfidën me Valbonën, administratori Çota ju ka likuiduar dietat duke ju thënë se pagat do ti merrni pas disa ditësh.

Image

Por teksa jemi pothuajse në fund të muajit Maj, lojtarët ende nuk kanë marrë asnjë kacidhe.

Në një komunikim të fundit që një prej lojtarëve ka pasur me administratorin ditën e sotme, Çota i ka përsëritur se para nuk ka pasi s’ka buxhet, por se për këtë problem gjithsesi do flasë me kryetarin aktual, Kastriot Gurra, për të parë se çfarë mund të bëjmë.

Lojtarët mendohet që të hënën të grumbullohen për herë të fundit dhe për të shkuar bashkërisht në zyrën e administratorit Çota e për të kërkuar pagat e pa marra.

Lidhur me situatën financiare në klubin e Sopotit, gazetari Ledion Qoshku i është drejtuar me një kërkesë zyrtare, Bashkisë së Librazhdit, më datë 27 Prill 2023, ku bazuar mbi ligjin për të drejtën e informimit i kërkon informacion kësaj bashkie lidhur me transparencën në pagat e lojtarëve dhe shpenzimet e klubit.

Image

Por edhe pse kjo bashki e ka për detyrim ligjor që brenda 10 ditëve të kthejë një përgjigje, teksa kanë kaluar 3 javë asnjë transparencë nuk është bërë përsa i përket buxhetit të sportit në Bashkinë e Librazhdit, duke i dhënë të drejtë interpretimit të lojtarëve se me buxhetin e sportit tek Sopoti bëhen manipulime nga drejtuesit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco