VIDEO-SYRI TV/ Drejtori i Rakip Sulit sulmon me thikë trajnerin e peshëngritjes, ngjarja u fsheh për 6 muaj

18:18, 24/04/2023

Drejtori i Klubit Sportiv të Kamzës, Dashamir Çajka qëllon me thikë trajnerin e Kombëtares Shqiptare të Peshëngritjes.

Ngjarja u mbajt e fshehtë për 6 muaj nga Federata, ndërsa pamjet e sulmit u publikuan vetëm 24 orë më parë.

Shkak i sulmit ka qenë vendimi i trajnerit për të mos marrë në turneun e Bosnjës sportistë nga Kamza, ndërsa ngjarja mësohet vetëm pas prishjes së marrëdhënieve mes Elez Gjozës dhe përfaqësuesit të Rakip Sulit në Federatë.

Protagonisti i sulmit, teksa përmend sloganin e Partisë Socialiste në fushatë “vetëm përpara” kërkon publikimin e tabulateve nga kreu i qeverisë dhe i sugjeron Edi Ramës që ndërhyjë për të shkarkuar Gjozën.

Federata Shqiptare e Peshëngritjes kështu zhytet në skandal pas ngjarjes së rëndë kriminale, e cila përfshin në skandal dhe institucionet e tjera shtetërore.

Trajneri i ekipit Kombëtar, Bashkim Nikolla, dhe sportisti Bekim Gripshi, ka rënë pre e një sulmi me thikë teksa ishin duke u nisur për të qenë pjesë e një turneu që zhvillohej në Bosnje nga data 11 deri në 13 nëntor 2022.

Protagonist i sulmit ka qenë i besuari i Rakip Sulit, Dashamir Çajka, presidenti i sport klub Kamzës.

Për shkak të mosmarrjes së sportistëve nga klubi i Kamzës në këtë turne, Çajka ka qëlluar me thikë trajnerin Bashkim Nikolla dhe sportistin tjetër Bekim Gripshi.

Ngjarja bëhet edhe më skandaloze, pasi është mbajtur e fshehur për 6 muaj, ndërsa nuk ka pasur asnjë reagim si nga Federata e Peshëngritjes ashtu edhe nga Policia e Shtetit, që jo vetëm nuk ka hetuar këtë ngjarje, por as ka proceduar  protagonistin e sulmit me thikë që mund ti kushtonte jetën trajnerit të Kombëtares Shqiptare të Peshëngritjes dhe një sportisti.

Por ngjarja zbardhet vetëm 6 muaj më pas, e jo për të vënë drejtësi, por pas përplasjeve që tashmë janë zhvendosur në nivelin e drejtuesve të Federatës së Peshëngritjes.

Federata e drejtuar nga Elez Gjoza, ka publikuar në rrjetet sociale, vetëm 24 orë më parë, videon e sulmit, e bën me përgjegjësi  përfaqësuesit e Rakip Sulit në këtë federatë, e madje i kërkon kryebashkiakut socialist që të marrë masa ndaj Çajkës.

“Bëjmë me dije opinionin publik se këto video do të paraqiten ditën e hënë në Prokurori dhe u kërkojmë organeve të drejtësisë të marrë masa për sa i përket kësaj çështjeje tejet serioze. Bëjmë me dije Z. Rakip Suli në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Kamëz, Komitetin Olimpik dhe Presidentin e saj Z. Fidel Ylli dhe organet kompetente për këtë çështje. Këta njerëz dhunues, të inkriminuar dhe dashakeqë të heqin duart nga sporti dhe vendi ynë”, theksohet në deklaratën e FSHP-së.

Pikëpyetje mbi këtë skandal ngrihen për faktin se ka qenë Federata e Peshëngritjes që ka fshehur për 6 muaj tentativën për vrasje ndaj trajnerit të Ekipit Kombëtar, dhe për faktin nëse ngjarja është raportuar tek autoritetet shqiptare dhe a janë marrë masat e nevojshme.

E madje kjo pikëpyetje ngrihet edhe nga vetë agresori Dashamir Çajka, i cili akuzon Elez Gjozën se e ka mbajtur këtë video të fshehtë për shantazh e abuzime me postin.

Madje Çajka bën pjesë të këtij skandali dhe kryeministrin Edi Rama, duke përmendur tabulate telefonike me kërcënime si dhe i kërkon të marrë masa.

Çajka deklaron: “Federata e Peshëngritjes Shqiptare fsheh dhe mban si kërcënim një sherr momental të ndodhur si lojë e pisët e Presidentit Manjak drejtues të kësaj federate. Përse sot e publikojnë? Kam pas informacione për eliminim fizik nëse do publikohej më parë mesazhi me screenshot, i ruajtur sepse i pabesi nuk njeh kufij. Të ftoj të luajmë me karta të hapura. Ta sqarojë kreu i qeverisë me tabulatet telefonike të rrjetit Whatsapp. Nga telefoni mund të fshihen, por në sistem nuk arrin dot të manipulosh. Vetëm përpara! Shkelje me 2 këmbë e ligjit për fshehjen e ngjarjes. @ediramaal ju lutem ndikoni në këtë çështje”.

Tashmë i mbetet Prokurorisë që të zbardhë skandalin dhe tentativën e vrasjes me thikë të trajnerit të Peshëngritjes, ku në komunikimet dhe pretendimet e palëve përfshihet dhe dyshohet të ketë dijeni edhe kryeministri Edi Rama.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco