Rrëfimi special i Abrashit: Disiplinën si zviceran, mentalitetin e kam si shqiptar

Rrëfimi special i Abrashit: Disiplinën si zviceran, mentalitetin e kam si shqiptar

22:13, 10/09/2022

Vendimi për të luajtur me Shqipërinë, ka qenë më i miri në karrierë. Kështu është shprehur kapiteni i Grasshopperit, Amir Abrashi, dhe njëkohësisht edhe futbollist i ekipit kombëtar. Mesfushori në gusht të vitit 2013 vendosi që të përfaqësojë kuqezinjtë, pas paraqitjeve me ekipet e moshave zinxhirë të Zvicrës.

32-vjeçari pranon se e kishte tepër të vështirë të luante te zviceranët, pasi konkurrenca në Kombëtare atë kohë ka qenë dhe është e madhe. “Në rolin tim luanin lojtarë si Valon Behrami, Blerim Xhemaili, tani janë Freuler, Granit Xhaka apo Zakaria. Duke parë në kohë mbrapa, mendoj se vendimi për të përfaqësuar Shqipërinë ishte më i miri i karrierës sime”, është shprehur Abrashi në një intervistë për gazetën zvicerane “20 minuten”.

SI KUQEZI- Ai ka theksuar se më shumë ndihet shqiptar sesa zviceran. Megjithatë, shprehet se i është mirënjohës shtetit dhe futbollit zviceran, duke thënë se ka marrë anët pozitive nga të dyja vendet. “Disiplinën si një zviceran, mentalitetin e kam si shqiptar. Unë e dua Zvicrën, i detyrohem shumë këtij vendi dhe futbollit këtu. Do të thosha që jam 60 për qind shqiptar dhe 40% zviceran”, vazhdon mesfushori.

 

KARRIERA – Abrashi numëron 47 ndeshje me kuqezinjtë, teksa ka shënuar edhe një gol, ndërsa për ekipin U-21 të Zvicrës luajti 18 ndeshje. Me Shqipërinë ai ishte pjesë e Europianit 2016. Mesfushori thotë se do ta mbajë mend gjatë gjithë jetës kualifikimin historik të Shqipërisë në Europian. “Emocionet që përjetuam në vendin tonë pas kualifikimit historik ishin thjesht të pabesueshme. Nuk do ta harroj kurrë atë ndjesi. Duhet ta përjetosh për ta kuptuar”, thotë Abrashi, i cili ka luajtur edhe në nivele të larta për klube. Karrierën e nisi tek Uinterthur dhe më përpara ishte pjesë e Grashoperit. Pasi dalloi në Zvicër, karriera e tij vazhdoi në Bundesligë me Fraiburgun.

Në Zvicër luajti edhe për Bazelin, ndërkohë tani është pjesë e Grashoperit ku mban edhe shiritin e kapitenit dhe ka kontratë deri vitin tjetër, teksa vazhdon të grumbullohet me Kombëtaren shqiptare dhe ëndrra e tij është që të marrë sërish pjesë në një Europian. “Të luash një tjetër kampionat europian do të ishte mirë. Në ndeshjen para se të nisim kualifikueset për Europian kundër Francës festuam si heronj në shtëpi”, shprehet Abrashi, i cili vlerësohet dhe shihet si shembull për përkushtimin dhe luftën sportive.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco