Ancelotti i bën presion PSG-së: I përmbysim në Madrid, dua ndihmën e tifozëve!

Ancelotti i bën presion PSG-së: I përmbysim në Madrid, dua ndihmën e tifozëve!

12:40, 07/03/2022

Reali i Madridit duket se ka mbyllur llogaritë me Ligën Spanjolle dhe për skuadrën e drejtuar nga Ancelotti e gjithë vëmendja është në mesjavë në takimin e kthimit në Champions kundër PSG-së.

Reali ka shpartalluar të shtunën Sociedadin 4-1, duke e çuar në 8 pikë diferencën me Sevillën e vendit të dytë.

Reali është gjendur në disavantazh në fillimin e takimit, por “Los Blancos” kanë përmbysur gjithçka, duke shënuar dy herë në pjesën e parë me Kamavingën e Modriç dhe dy herë të tjera në 45 minutat e dyta me Benzemanë dhe Asension.

Ky është një mesazh i qartë që Reali i dërgon Parisit vetëm tri ditë nga ndeshja e kthimit në 1/8 e finaleve në Ligën e Kampioneve.

Reali duhet të rikuperojë humbjen 0-1 në Paris. Por pas suksesit ndaj Sociedadit, trajneri Ancelotti duket më i bindur se kurrë se skuadra e tij mund të përmbysë gjithçka në favorin e saj.

Duke folur pas suksesit ndaj Sociedadit, italiani ka deklaruar se kjo ka qenë ndeshja më e mirë e sezonit për skuadrën që ai drejton.

“Unë besoj se kemi luajtur shumë mirë. Kishim një plan të qartë për ndeshjen ndaj Sociedadit, kërkoja të bënim presing lart dhe gjithçka ka shkuar mirë.

Mund ta them se ka qenë një nga ndeshjet më të mira të sezonit, në mos më e mira. Jam i bindur se nëse do të luajmë kështu edhe të mërkurën në Champions, kemi shumë më tepër shanse për t’u kualifikuar”, ka thënë trajneri i Realit.

Duke qëndruar pikërisht te ndeshja e mesjavës ndaj PSG-së, Ancelotti ka kërkuar dhe ndihmën e tifozërisë për të vënë sa më shumë nën presion skuadrën franceze.

“Ne besojmë se mund t’ia dalim. Por, pas fitores me Sociedadin kam krijuar përshtypjen se dhe tifozët tanë kanë nisur të besojnë se ne mund t’ia dalim. Pas kësaj ndeshjeje ata kanë një arsye më shumë për të na mbështetur. Ne premtojmë se do të bëjmë gjithçka, lojtarët do të japin gjithçka në këtë takim.

Por, të mërkurën më shumë se kurrë na nevojitet edhe një dorë nga tifozët tanë. Ndihma e tyre është e domosdoshme për ne”, ka thënë trajneri i Realit të Madridit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco