VIDEO/ 'Alfred, çfarë afroi kjo fundjavë futbollistike në Shqipëri dhe në Europë?!'

VIDEO/ 'Alfred, çfarë afroi kjo fundjavë futbollistike në Shqipëri dhe në Europë?!'

14:35, 01/11/2021

Gazetari Alfred Guraj ka analizuar sot, fundjavën sportive të kampionatit shqiptar dhe zhvillimet në kampionatet evropiane, i ftuar nga Flavio Qarri në “Kafe Shqeto”.

Sipas Gurajt, në këtë sezon të kampionatit shqiptar nga 10 ekipe, po konsiderohen jo 4 apo 5, por shtatë prej tyre që do të luftojnë për titullin kampion. Më në fund edhe Dinamo arriti të kthehet në futbollin elitar në vend duke ndërtuar edhe një ekip shumë të mirë. Sa për kampionatin italian, ai goli i Ibrahimoviç...

Flavio: Alfred, ka qenë një fundjavë e pasur në përplasje, por edhe në gola dhe në rezultate, apo jo?

Alfred Guraj: Nëse fundjavën e shkuar kishim derbin e kryeqytetit midis Tiranës dhe Partizanit, këtë fundjavë kemi pasur derbin e Shqipërisë, klasiken e futbollit shqiptar mes Vllaznisë dhe Tiranës. Sërish bardhblutë e Orges Shehit ia kanë dalë të triumfojnë në një sfidë që pritej të ishte më shumë se sa e vështirë për ata, aq më tepër që luhej një stadium si “Loro Boriçi” në Shkodër, një nga stadiumet ku fusha apo mbështetja e tifozëve ndikon së tepërmi në fatet e ndeshjes. Por edhe këtë herë duket se skuadra e Orges Shehit ia ka arritur të marrë tre pikë mjaft të rëndësishme, duke vazhduar marshimin e saj në krye të kampionatit tonë të futbollit. Duket se Shehi ka ndërtuar një ekip mjaft të mirë, pavarësisht disa largimeve shumë të rëndësishme nga Tirana, sic është rasti i Çelhakës në mesfushë apo i Idriz Bathës, që sezonin e kaluar ishte edhe kapiteni i Tiranës. Shehi ka ndërtuar një ekip shumë të mirë me disa elementë…

Flavio: Por trajner i ri, në futbollin shqiptar...

Alfred Guraj: Në fakt duket se të rinjtë më në fund edhe në kampionatin tonë të futbollit po japin atë që të gjithë presin, pra akademitë. Duket se te Tirana po funksionon shumë mirë çështja e lojtarëve të ardhur nga akademia dhe ky sezon e tregon qartë, të paktën në këto shtatë javët e para të kampionatit, me Shehin që është munduar përveç atyre lojtarëve që kanë qenë te Tirana dhe sezonin e shkuar apo disa sezone më parë, me inkuadrimin e disa lojtarëve të rinj, ka arritur të krijojë një grup shumë të mirë. Për momentin, siç e theksova, Tirana është një nga ekipet pretendente serioze për sa i përket çështjes së titullit.

Flavio: Edhe pse rrallë kemi parë trajnerë që vijnë nga pozicioni i portierit  - Dino Zoff është ai që ka arritur rezultate më të mira, të tjerët nuk është se kanë shkëlqyer. A është momenti për një trainer portier?

Alfred Guraj: Tirana duket se ka shans me trajnerët që më përpara kanë qenë portierë, pasi edhe Emmanuel Egbo ishte një portier, mori drejtimin e Tiranës dhe më pas arriti ta shpallte kampion. Të njëjtin fat e shpresojnë të gjithë tifozët e Tiranës ta ndjekë edhe Orges Shehin.

Flavio: Po ne nuk mund të mbajnë qëndrime të njëanshme. Edhe Dinamo me Kukësin kanë bërë një supersfidë. Kanë dalë fitues kuksianët, por Dinamo rikthehet të luajë në stadiumin kombëtar pas një dekade.

Alftred Guraj: Në mos gaboj, që nga viti 2012, Dinamo nuk zhvillonte një sfidë në futbollin elitar në kryeqytet. Ka pasur më në fund mundësinë që të ketë mbështetjen e tifozëve të saj, edhe pse jo në numër shumë të madh, por kjo vjen dhe si pasojë e masave. Gjithsesi tifozët më besnikë të saj, e ndiqnin edhe në kategoritë më të ulëta, në ato periudha të errëta të Dinamos. Më në fund Dinamo arriti të kthehet në futbollin elitar në vend duke ndërtuar edhe një ekip shumë të mirë. Këtë fundjavë nuk ia ka dalë të marrë pikë përballë një Kukësi që duhet theksuar ashtu si Tirana, për mendimin tim, ka një ekip shumë konkurrues.

Traineri italian Diego Longo ka arritur të ndërtojë një skuadër të mirë dhe e ka treguar sidomos në sfidat e mëdha, sepse pas Vllaznisë,  Kukësi ia ka dalë të mposhtë një tjetër ekip pretendent siç është Dinamo, pasi me skuadrën që ka ndërtuar gjatë merkatos së verës, Dinamo gjithashtu konsiderohet një ekip që do të luftojë për titullin kampion në Shqipëri. Në fakt ka një fakt mjaft interesant që në Shqipëri, kur nis kampionati janë më shumë se katër a pesë ekipe pretendente. Në këtë sezon, nga 10 ekipe, shtatë prej tyre konsiderohen si ekipe që do të luftojnë për titullin kampion.

Tre ekipet e tjera natyrisht nuk mund të pretendojnë për titull, pasi fatkeqësisht duhet të rrëzohen një kategori më poshtë, dy në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe një nëpërmjet playout. Por siç e theksova, janë disa ekipe që luftojnë për titullin kampion, midis tyre është edhe Kukësi. Verilindorët e kanë treguar edhe këtë fundjavë ndaj Dinamos se janë një ekip serioz, pretendentë për çështjen e titullit kampion.

Flavio: Duket se autostrada e Kombit i ka bërë ata të ecin më shpejt dhe as trau s’ka mjaftuar për t’i mbajtur. Po të mos qëndrojmë vetëm në kampionatin shqiptar. E hëna është dhe për kampionatet kryesore ndërkombëtare. Ta fillojmë me atë italian. Roma - Milan ka qenë përballja e mbrëmshme deri tek goli spektakolar i Ibrahimoviç 40-vjeçar. E ndoqa ndeshjen, po pastaj kisha ca gjëra më të mira për të bërë. Si vazhdoi ndeshja Alfred?

Tani ndiqeni vetë vazhdimin në videon e “Kafe Shqeto”./ar.sh/SYRI.NET

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco