Albert Ajnshtajni na dha teorinë e relativitetit, shpjegoi efektin fotoelektrik dhe parashikoi ekzistencën e valëve gravitacionale. Ai revolucionarizoi mënyrën se si e kuptojmë hapësirën, kohën dhe gravitetin.
Në fakt, ai është aq i famshëm për zgjuarsinë e tij, sa emri "Ajnshtajn" është bërë sinonim i fjalës "gjeni". Por të jesh gjeni nuk do të thotë të jesh i pagabueshëm. Pra, a gaboi ndonjëherë Ajnshtajni?
"Pa diskutim, ai gaboi për shumë gjëra," tha për Live ScienceNicolás Yunes, fizikan teorik në Universitetin e Illinois Urbana - Champaign-it. "Ne e kujtojmë kryesisht për gjërat ku pati të drejtë, sepse ato tronditën botën shkencore dhe, me kalimin e kohës, ndikuan te të gjithë njerëzit në Tokë."
Një nga parashikimet e tij më të famshme, për shembull, u shoqërua me një gabim matematikor. Në vitin 1916, Ajnshtajni kuptoi saktë se përshpejtimi i materies mund të krijonte valëzime në hapësirë-kohë, të cilat sot i quajmë valë gravitacionale. Por kur ai dhe fizikani Nathan Rosen u përpoqën t'i përshkruanin këto valë me anë të matematikës, hasën një problem: çdo zgjidhje e ekuacioneve të relativitetit të përgjithshëm që lejonte ekzistencën e valëve gravitacionale "shpërthente", shpjegon Yunes.
"Ato përmbanin singularitete... divergjenca. Dhe zgjidhje që shpërthejnë në këtë mënyrë nuk mund të përfaqësojnë realitetin fizik."
Si pasojë, Ajnshtajni ndryshoi mendim dhe arriti në përfundimin se valët gravitacionale nuk mund të ekzistonin. Ai përgatiti një artikull dhe e dërgoi për botim në revistën Physical Review, e cila sapo kishte filluar të përdorte sistemin e vlerësimit nga ekspertë të jashtëm.
Një recensues anonim zbuloi një gabim në llogaritjet e Ajnshtajnit. Kur ai e mori vesh këtë, u zemërua aq shumë sa e tërhoqi artikullin dhe e dërgoi në një revistë tjetër.
Megjithatë, recensuesi kishte të drejtë. Pafundësitë matematikore që kishte gjetur Ajnshtajni ishin vetëm pasojë e mënyrës së zgjedhur për të përshkruar koordinatat. Ashtu si vijat e gjatësisë gjeografike në Tokë duket sikur bashkohen në një "singularitet" në Polin e Veriut, megjithëse në terren nuk ndodh asgjë e pazakontë, edhe problemi matematikor i Ajnshtajnit mund të zgjidhej duke përdorur një sistem tjetër koordinatash.
Pa dijeninë e Ajnshtajnit, recensuesi u miqësua me ndihmësin e tij dhe ia shpjegoi gabimin. Ky i fundit ia bëri të qartë Ajnshtajnit, i cili e korrigjoi gabimin dhe ribotoi artikullin me përfundimin e kundërt: valët gravitacionale ekzistojnë.
Pafundësi "të pamundura"
Çuditërisht, Ajnshtajni ra në të njëjtin gabim edhe një herë tjetër, të paktën kështu dukej.
Kur analizonte matematikën e vrimave të zeza, ai sërish hasi pafundësi matematikore, këtë herë në kufirin e një vrime të zezë. Edhe kësaj here arriti në përfundimin se një objekt i tillë nuk mund të ekzistonte.
"Ajnshtajni mbeti skeptik për ekzistencën e vrimave të zeza," tha për Live Science John D. Norton, profesor në Departamentin e Historisë dhe Filozofisë së Shkencës në Universitetin e Pittsburgh-ut.
"Ai ishte i bindur se do të kishte një singularitet në vetë horizontin e ngjarjeve të vrimës së zezë, ndërsa sot ai konsiderohet thjesht si pika nga e cila nuk ka më kthim për asgjë që bie brenda saj."
Por kësaj here Ajnshtajni nuk u bind se kishte gabuar. Sipas Nortonit, kjo nuk ishte thjesht kokëfortësi, por pasqyrim i bindjeve të tij filozofike për mënyrën se si matematika dhe fizika duhej të lidheshin me njëra-tjetrën.
"Ai nuk u bind nga analizat alternative që tregonin se pafundësitë matematikore ishin vetëm pasoja të metodave matematikore që ai parapëlqente," tha Norton.

Ajnshtajni dhe mekanika kuantike
Kundërshtimi i Ajnshtajnit ndaj mekanikës kuantike është ndoshta gabimi i tij më i njohur.
Objeksioni i tij kryesor lidhej me fenomenin e ngatërrimit kuantik, sipas të cilit dy grimca mund të lidhen në mënyrë të tillë që matja e njërës ndikon menjëherë te tjetra, pavarësisht distancës që i ndan.
Në një letër të vitit 1947 drejtuar kolegut të tij Max Born, Ajnshtajni shkroi:"Nuk mund ta besoj seriozisht këtë, sepse teoria nuk mund të pajtohet me idenë se fizika duhet të përshkruajë një realitet në hapësirë dhe kohë, pa veprime të çuditshme në distancë."
Ajnshtajni mendonte se ky fenomen i menjëhershëm binte ndesh me relativitetin special, sipas të cilit asgjë nuk mund të lëvizë më shpejt se drita. Prandaj ai besonte se mekanika kuantike ishte e paplotë dhe se duhej të ekzistonte një teori më e thellë që do ta shpjegonte realitetin.
"Ai vdiq pa e pranuar mekanikën kuantike," thotë Yunes.
Vetëm në vitin 1964, pothuajse dhjetë vjet pas vdekjes së Ajnshtajnit, John Bell tregoi se ngatërrimi kuantik ishte një fenomen real.
"Sot, një pjesë e madhe e teknologjisë që përdorim mbështetet në mekanikën kuantike, prandaj e dimë se ajo funksionon," thotë Yunes. "Por ajo ende nuk pajtohet me relativitetin e përgjithshëm, teorinë klasike të Ajnshtajnit."
Ai shton se është e mundur që relativiteti i përgjithshëm të mos jetë plotësisht i saktë. Nga ana tjetër, mund të ndodhë që mekanika kuantike të mos jetë përshkrimi i duhur kur bëhet fjalë për sisteme me gravitet jashtëzakonisht të fortë dhe për procese në shkallën e Plankut, ku efektet kuantike dominojnë.
Për shembull, qendra e një vrime të zezë është një vend ku materia është e ngjeshur në shkallë kuantike, ndërsa ndodhet njëkohësisht në fushën më të fuqishme gravitacionale të universit. Relativiteti i përgjithshëm parashikon aty një singularitet, ndërsa mekanika kuantike nuk ka ende një mënyrë për ta përshkruar atë.
Edhe gabimet e tij e çuan shkencën përpara

Megjithatë, shumë prej gabimeve të Ajnshtajnit ndihmuan përparimin e shkencës.
"Relativiteti i përgjithshëm është një shembull i mirë," thotë Norton. "Ajnshtajni e ndërtoi atë mbi idenë se po zgjeronte parimin e relativitetit për ta zbatuar edhe te përshpejtimi, si edhe mbi atë që më vonë e quajti parimi i Mahut. Asnjëra prej këtyre ideve nuk rezultoi plotësisht e përputhshme me versionin përfundimtar të teorisë së relativitetit të përgjithshëm."
Gabimet e Ajnshtajnit mund t'i habisin shumë njerëz, por jo vetë atë.
Një herë, kur po shkruante një libër me bashkëpunëtorin e tij Leopold Infeld, ky i fundit i tha se po tregonte kujdes të veçantë, sepse në libër do të figuronte emri i Ajnshtajnit. Ajnshtajni qeshi dhe iu përgjigj:"Edhe nën emrin tim janë botuar punime të pasakta." / Live Science – Syri.net
© SYRI.net