Lajmi i fundit

Live - Kuvendi në seancë plenare

Aurela Gaçe flet e përlotur në homazhet për gazetarin e njohur: I kam bërë një premtim Enrikut dhe do ta mbaj...

13:45, 19/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Homazhet në nderim të gazetarit Enrik Mehmeti po zhvillohen në Teatrin “Petro Marko” në qytetin e Vlorës. Familjarë, të afërm, miq, kolegë të medias dhe qytetarë janë mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit gazetarit, i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident.

Në ceremoninë mortore ka marrë pjesë edhe këngëtarja e njohur Aurela Gaçe, e cila ka kujtuar me emocion figurën e gazetarit vlonjat dhe mbështetjen që ai i ka dhënë ndër vite.

Gaçe u shpreh se Mehmeti ishte një njeri i gatshëm për të ndihmuar dhe se gjithmonë gjente kohë për të qenë pranë njerëzve.

“Ka qenë me mua, në mbështetje, duke ardhur e duke më shoqëruar nëpër anije, duke folur me njerëz që njihte vetë. Të marrësh nga koha jote dhe t’ia dhurosh dikujt tjetër, tregon për zemërgjerësinë dhe për atë që je si njeri. Mund ta bësh një herë, por ai e ka bërë gjithmonë”, tha këngëtarja.

Ajo tregoi edhe bisedën e fundit me gazetarin, vetëm pak ditë para ndarjes së tij nga jeta, duke zbuluar se kishin diskutuar për një projekt muzikor.

“Herën e fundit që fola me të ishte para një jave. I thashë që ndodhesha në Vlorë për xhirime dhe ai më tha: ‘Nëse të duhet një flotë e madhe me skafe e gomone, rreth 100, t’i bëj vëllai të rreshtohen aty’. I thashë se do të bënim një këngë dhe tani që i dhashë fjalën, do ta bëj, sepse kjo ishte biseda jonë e fundit”, u shpreh Aurela Gaçe.

Enrik Mehmeti u nda nga jeta në moshën 40-vjeçare pas një aksidenti në zonën e Porto Novos, në Zvërnec të Vlorës, duke lënë pas një karrierë mbi dy dekada në gazetari.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco