Homazhet në nderim të gazetarit Enrik Mehmeti po zhvillohen në Teatrin “Petro Marko” në qytetin e Vlorës. Familjarë, të afërm, miq, kolegë të medias dhe qytetarë janë mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit gazetarit, i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident.
Në ceremoninë mortore ka marrë pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili ka shprehur ngushëllimet për familjarët e të ndjerit.
Gjithashtu i pranishëm ka qënë edhe deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj.
Ndarja nga jeta e gazetarit 40-vjeçar tronditi opinionin publik mbrëmjen e së shtunës. Sipas të dhënave, aksidenti ndodhi në zonën e plazhit të Porto Novos, në Zvërnec të Vlorës, ku Mehmeti po lëvizte me një motor me katër rrota.
Dyshohet se, pas humbjes së kontrollit të mjetit gjatë një manovre, motori është përmbysur dhe është rrokullisur disa herë, duke i shkaktuar plagë të rënda që rezultuan fatale.
Enrik Mehmeti ishte një prej figurave më të njohura të medias lokale në Vlorë, me mbi dy dekada angazhim në gazetari. Gjatë karrierës së tij ai raportoi ngjarje të shumta nga politika, kronika, kultura dhe sporti, duke u vlerësuar për profesionalizmin dhe përkushtimin në terren.
Rruga e tij në gazetari kishte nisur që në moshë të re. Në vitin 1997, gjatë operacionit “Alba”, ai u angazhua si përkthyes për trupat italiane të dislokuara në Shqipëri, një përvojë që do të shënonte edhe hapat e parë drejt profesionit të gazetarit.
Për vite me radhë, Mehmeti u bë një zë i rëndësishëm i medias në Vlorë, duke sjellë raportime të vazhdueshme dhe duke ngritur shqetësimet e komunitetit.
Humbja e tij ka lënë një boshllëk të madh te familjarët, kolegët dhe komuniteti i gazetarëve shqiptarë.
© SYRI.net