Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në bregdetin e jugut, ku në zonën e Borshit është kapur një peshkaqen i llojit “dhelpër”.
Sipas peshkatarëve vendas, peshkaqeni është kapur në rrjetat e tyre dhe ka një gjatësi rreth 2 metra, me peshë afërsisht 35 kilogramë.
Ky ekzemplar, i cili njihet si një specie që shfaqet herë pas here në brigjet shqiptare, ka ngjallur interes të madh te banorët dhe pushuesit e zonës, të cilët janë afruar menjëherë në vendngjarje për ta parë nga afër.
Pas nxjerrjes së tij në breg, dhjetëra qytetarë kanë bërë fotografi dhe video, ndërsa kanë shprehur habi për praninë e këtij grabitqari detar kaq pranë zonës së frekuentuar nga turistët.
Peshkatarët theksojnë se, edhe pse deti Jon është i pasur me lloje të ndryshme peshqish dhe gjallesash detare, raste të tilla mbeten relativisht të rralla në këtë zonë të bregdetit shqiptar.
© SYRI.net