Prodhimi i qershisë i kënaqshëm dhe cilësor, por fermerët përballen me mungesë fuqie punëtore dhe pikash grumbullimi
Këtë vit, në qarkun e Beratit, prodhimi i qershisë është pjekur më herët se zakonisht, duke bërë që vjelja të nisë që në javën e parë të muajit maj. Edhe pse fermerët e fshatrave Drobonik, Tërpan, Xhitom, Plashnik, Mbreshtan dhe Galinë prisnin një sezon me rendiment të lartë, prodhimi ka rezultuar në nivele mesatare, por me cilësi të kënaqshme.
Fermerët e fshatit Drobonik, një prej zonave më të njohura për kultivimin e qershisë në qarkun e Beratit, shprehen se sfida kryesore mbetet mungesa e fuqisë punëtore. Sipas tyre, çdo vit po bëhet gjithnjë e më e vështirë gjetja e punëtorëve sezonalë, edhe pse pagesa ditore ka arritur deri në 30 mijë lekë të vjetra.
Për shkak të largimit të të rinjve nga fshati, pjesa më e madhe e fermerëve detyrohen të kryejnë vetë vjeljen e prodhimit, pavarësisht moshës së tyre të thyer dhe vështirësive fizike që kërkon ky proces.
Një tjetër shqetësim për fermerët është mungesa e pikave të grumbullimit për qershinë. Ata shprehen se tregtimi i prodhimit mbetet i pasigurt, megjithëse deri tani kanë arritur ta shesin falë tregtarëve që vijnë nga qytete të ndryshme të vendit dhe e blejnë prodhimin direkt në fshat.
Fermerët ankohen gjithashtu për rritjen e vazhdueshme të çmimeve të pesticideve dhe plehrave kimike, të cilat kanë rritur ndjeshëm kostot e prodhimit. Sipas tyre, edhe pse qershia po tregtohet me çmim të kënaqshëm, të ardhurat nuk mjaftojnë për të mbuluar shpenzimet e trajtimit të pemëve, përfshirë spërkatjen, plehërimin dhe krasitjen.
Ata kërkojnë nga institucionet shtetërore më shumë mbështetje për sektorin bujqësor, duke theksuar se heqja e subvencionimit të naftës ka rënduar më tej situatën ekonomike të fermave.
Fermerët e Drobonikut i bëjnë apel qeverisë të ndërhyjë me politika konkrete mbështetëse, duke ulur kostot e inputeve bujqësore dhe duke rikthyer subvencionimin e naftës, pasi në të kundërt, sipas tyre, shumë fermerë rrezikojnë falimentimin dhe braktisjen e aktivitetit bujqësor.
© SYRI.net