Vlora pa ujë në kulmin e sezonit veror, projekti 24-orësh ende i papërfunduar

12:38, 28/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Vlora vijon të përballet edhe këtë sezon veror me mungesën e ujit të pijshëm në shumë lagje të qytetit. Banorët shprehen se në çezmat e tyre uji vjen vetëm një ose dy orë në ditë, ndërsa në disa zona furnizimi mungon plotësisht për periudha të gjata.

Përballë kësaj situate, shumë familje janë detyruar të gjejnë zgjidhje alternative për të siguruar ujë për konsum dhe përdorim të përditshëm. Çdo ditë, dhjetëra banorë drejtohen në burimet e ujit të ftohtë në periferi të qytetit, ku mbushin ujë për nevojat familjare.

Shqetësimi i qytetarëve lidhet jo vetëm me mungesën e furnizimit, por edhe me sigurinë e ujit që marrin në këto burime, pasi sipas tyre nuk ka kontrolle të qarta që garantojnë nëse ky ujë është i konsumueshëm dhe i sigurt për shëndetin.

Situata rëndohet edhe nga fakti se projekti për furnizimin e Vlorës me ujë të pijshëm 24 orë ende nuk ka përfunduar, ndonëse prej më shumë se dy vitesh vijojnë punimet në terren.

Banorët shprehen të zhgënjyer, pasi pritshmëritë për përmirësimin e furnizimit kanë qenë të mëdha, ndërsa realiteti mbetet i pandryshuar. Në kulmin e sezonit turistik, kur fluksi i pushuesve rrit ndjeshëm konsumin, mungesa e ujit të pijshëm vijon të mbetet një nga problematikat kryesore të qytetit bregdetar.

Qytetarët kërkojnë transparencë nga institucionet përgjegjëse dhe përfundimin sa më të shpejtë të investimit që prej vitesh u është premtuar si zgjidhje përfundimtare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco