Truku i Dalít: Psikologjia e çuditshme për t'u bërë ai që do të jesh

Truku i Dalít: Psikologjia e çuditshme për t'u bërë ai që do të jesh

12:15, 28/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kush do të jesh sot?

Nga Jonny Thomson – Big Think/

Bënin e njoha në universitet. Ai jetonte një kat mbi mua dhe nisëm të bisedonim në ato ditë të arta kur mund t’i afroheshe kujtdo dhe të filloje një miqësi.

“Ej, mik, si quhesh? Për çfarë po studion? Shkëlqyeshëm. Do pimë një gotë?”

Beni ishte një arketip. Ishte tipi artistik dhe romantik që vishte triko të gjera dhe një shall Alibaba të blerë në një treg në Marok. Beduin autentik, i bërë me dorë.

As unë nuk jam ndonjë modest i madh, ndaj unë dhe Beni u bëmë miq që në fillim. Flisnim për libra dhe filozofi. Luanim në kitarë në dhomën e tij. Grupet tona shoqërore nuk përputheshin plotësisht, por gjithmonë shkonim mirë. Megjithatë, ai kurrë nuk më ftoi ta takoja gjatë pushimeve.

Nuk ka asgjë të keqe këtu. Të jem i sinqertë, nuk i thashë shumë rëndësi. Të gjithë kemi jetët tona dhe nuk ishim miq shumë të ngushtë. Por pak para Krishtlindjeve në vitin e dytë, ai më tregoi pse.

“Jam një person krejt tjetër,” tha ai. “Në shkollë, nuk flisja kurrë për këto gjëra. Ishte thjesht një Ben tjetër. Nuk kam ndonjë shok të mirë në vendlindje.”

Kur Beni shkoi në universitet, vendosi të bëhej “Ben Hipsteri”. Krijoi një alter ego të tërë për veten dhe u fut thellë në të. A ekzistonte diku një “Ben i vërtetë”? Ndoshta, por sinqerisht nuk më intereson. Dukej i lumtur dhe i qetë. I pëlqente fytyra që mbante.

Ka fuqi në përdorimin e alter egove, një fuqi që Salvador Dalí e njihte shumë mirë.

Truku i Dalít

Dalí është një nga artistët më të famshëm në botë. Kur isha fëmijë, mbaj mend që shkova në një muze gjatë një ekskursioni shkollor dhe, me kartëmonedhën time 5 paundëshe, bleva një nga printimet e tij. Qëndroi në dhomën time gjatë gjithë fëmijërisë. Jam i sigurt se nuk jam i vetmi që ka pasur estetikën e Dalít në një pjesë të së kaluarës së tij. Elefantët e tij këmbëgjatë dhe orët e shtrembëruara janë bërë meme artistike. Janë aq të famshme sa njerëzit shumë “artistikë” i përçmojnë. Beni do ta urrente Dalín.

Sigurisht, Dalí ishte një surrealist i talentuar. Por një arsye pse pati kaq shumë sukses ishte se kuptoi fuqinë e një alter egoje të mirë. Dalí fliste për veten në vetën e tretë. “Dalí thotë”, “Dalí mendon”, “Dalí kurrë nuk…” e kështu me radhë.

Është një sjellje e zakonshme te njerëzit melodramatikë, por Dalí shpesh bënte punën e tij më të mirë pas maskës së këtij personazhi. Jam i sigurt se zgjohej, lexonte lajmet e botës, pinte një kafe dhe kalonte ditën me rutinën monotone të një njeriu të zakonshëm. Por Dalí? Dalí ishte gjeni. Kishte mustaqe të çuditshme dhe bënte poza qesharake. Frymëzohej nga muzat dhe duhej lënë vetëm me artin e tij.

I etur për dollarë

Në vitin 1949, pasi Dalí kishte fituar disa milionë, jo pak falë një bashkëpunimi fitimprurës me Walt Disney, rivali i tij disi snob dhe themeluesi i surrealizmit, André Breton, i vuri një nofkë të re: Avida Dollars. Ishte një lojë fjalësh në frëngjisht me kuptimin “i etur për dollarë” dhe synonte ta tallte Dalín se ishte shitur. Si mundej ky gjeni artistik të fitonte kaq shumë para dhe të ecte në ritmin e kapitalizmit?

Dalí qeshi. Siç kishte thënë Niçe një shekull më parë, fuqia e vërtetë vjen kur mund ta shpërfillësh një fyerje dhe t’u buzëqeshësh atyre që të fyejnë. Në fakt, Dalí shkoi edhe më tej: ai e adoptoi emrin. Tha se emri kishte “një vlerë të caktuar magjike” dhe se që kur Breton ia kishte vënë, “shiu i dollarëve nuk ka pushuar së rëni”.

Nën personazhin e Avida Dollars, Dalí përqafoi sipërmarrësin brenda vetes. Fitoi gjithnjë e më shumë para, u bë gjithnjë e më i suksesshëm dhe nuk e pa më pas Bretonin dhe surrealistët e tjerë.

E gjithë bota është një skenë

Ne flasim shpesh për nevojën për të “qenë autentik”. Ekziston ideja, e trashëguar nga feja, se kemi një shpirt të lindur që përcakton kush jemi. Ky thelb është ai që “jemi në të vërtetë”. Është “uni” i vërtetë. Beni, me shallin e tij beduin, thjesht po shtiret. Dalí si Dollars është një rol.

Jam i sigurt se shumë prej nesh mund ta kuptojnë ndjenjën e mungesës së autenticitetit. Të gjithëve na bezdis fakti që duhet të flasim dhe sillemi në mënyra të caktuara. Kur isha mësues, kostumet elegante dhe nyjat e dyfishta të kollares nuk më përfaqësonin fare. Por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ekziston një “un” thelbësor.

Teoria dramaturgjike e sociologut Erving Goffman argumenton se të gjitha jetët tona publike janë role. Në momentin që dikush të sheh, ti bëhesh një personazh. Nuk mund ta shmangim veshjen e një roli më shumë sesa mund të shmangim veshjen e rrobave. Zhan-Pol Sartri e quante këtë “vështrimi”. Është momenti kur transformohesh nga vetja jote private në një person të ekspozuar para të tjerëve. Vështrimi mund të ndihet shumë keq, “ferri janë njerëzit e tjerë”, në fund të fundit. Ose mund të ndihet çlirues, të të shohin si të mirë, të sjellshëm ose brilant është një ndjesi e mrekullueshme. Madje mund të na frymëzojë të bëhemi të mëdhenj.

Efekti Batman

Ajo që kuptuan si Beni ashtu edhe Dalí ishte se fuqia e vërtetë qëndron në zgjedhjen e personit që vendosim t’u tregojmë të tjerëve. Nëse Goffman ka të drejtë, ne duhet të luajmë një rol. Por sekreti është të kontrollojmë se cili është ai rol.

Le të themi se krijoj për veten një ego të quajtur “Gjon rezistenti”. Ky person ka sytë e ftohtë prej çeliku të Clint Eastwood-it dhe i pëlqen të vrapojë nëpër shkallë me borë. Kështu, nëse jeta më sjell ndonjë vështirësi, qoftë edhe thjesht një ftohje, mund të vesh lëkurën e Gjon rezistentit. Çfarë do të bënte Gjoni? Do ta kalonte me qetësi, nuk do të ankohej dhe do të vazhdonte jetën.

Ekziston një studim interesant i vitit 2017 ku studiuesit ndanë disa fëmijë katër dhe gjashtë vjeç në dy grupe dhe u kërkuan të bënin të njëjtën detyrë. Njërit grup iu tha thjesht ta bënte, ndërsa grupit tjetër iu tha ta bënte si një personazh: Dora eksploruesja, Bob ndërtuesi ose Batman. Fëmijët që shtireshin si dikush tjetër këmbëngulën më gjatë. Studiuesit e quajtën këtë “Efekti Batman”.

Pra, pyetja nuk është: “Kush jam unë në të vërtetë?” Kjo pyetje nuk ka përgjigje të mirë dhe zakonisht i bën njerëzit të palumtur. Pyetja më e mirë është ajo që Beni dhe Dalí e zbuluan rastësisht: Kush dua të jem në këtë dhomë? Visheni atë personazh, vendosni maskën dhe lejojini vetes ta luani rolin. /Big Think – Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco