Kurban Bajrami në Korçë, besimtarët falin namazin/ Myftiu Ledian Cikalleshi: Kjo ditë sjell mirësi dhe bashkim

09:56, 27/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Besimtarët myslimanë në Korçë kanë falur mëngjesin e sotëm namazin e Kurban Bajramit në sheshin përpara xhamisë historike të Iljaz Bej Mirahorit, duke përcjellë mesazhe paqeje, sakrifice dhe solidariteti.

Ceremonia u zhvillua në një atmosferë festive dhe të mbushur me besim, ku qindra qytetarë u bashkuan për të kremtuar një nga festat më të rëndësishme të besimit islam. Pas faljes së namazit, besimtarët iu drejtuan familjeve të tyre për të vijuar me ritin tradicional të therjes së kurbanit, simbol i bindjes ndaj Zotit dhe ndihmës për njerëzit në nevojë.

Myftiu i Korçës, Ledian Cikalleshi, uroi të gjithë besimtarët për festën, duke lutur Zotin të pranojë adhurimet dhe sakrificat e tyre. Ai theksoi se kjo ditë sjell mirësi, begati dhe bashkim për të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit.

Ndërkohë, besimtarët e pranishëm e cilësuan Kurban Bajramin si një festë që simbolizon sakrificën dhe devotshmërinë ndaj Zotit, por edhe solidaritetin me njerëzit në nevojë. Ata apeluan për më shumë dashuri, pajtim dhe harmoni mes njerëzve.

Urime dhe mesazhe paqeje përcollën edhe besimtaret, të cilat uruan që kjo festë të sjellë mirësi, begati dhe dashuri për të gjithë njerëzimin.

Në këtë ditë të shenjtë, atmosfera festive në Korçë u shoqërua me urime të shumta për paqe, mirëkuptim dhe bashkim familjar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco