Vlorë, besimtarët myslimanë mblidhen për faljen e Kurban Bajramit

07:53, 27/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Me qindra besimtarë myslimanë në Vlorë janë mbledhur mëngjesin e kësaj të premteje në Pallatin e Sportit “Flamurtari” për të falur Namazin e Kurban Bajramit, një nga festat më të rëndësishme të besimit islam.

Në ceremoninë fetare kanë marrë pjesë besimtarë nga Vlora, por nuk kanë munguar edhe qytetarë me kombësi të huaj, të cilët iu bashkuan faljes dhe atmosferës festive.

Falja e Namazit të Kurban Bajramit është drejtuar nga Myftiu i Vlorës, Ardit Hoxhllaku, i cili në mesazhin e tij ka theksuar rëndësinë e kësaj feste që simbolizon sakrificën, solidaritetin dhe ndërgjegjësimin shpirtëror.

Si çdo vit, besimtarët kanë kryer ritin e faljes dhe më pas kanë shkëmbyer urime e mesazhe dashurie, vëllazërie dhe mirëqenieje për çdo familje.

Në këtë ditë të shenjtë për besimtarët myslimanë, shumë familje presin kurbanin dhe një pjesë të mishit ua shpërndajnë njerëzve në nevojë, duke përcjellë frymën e solidaritetit që karakterizon këtë festë. Ndërkohë, gjatë orëve në vijim pritet që familjarë dhe miq të mblidhen në drekat tradicionale të Kurban Bajramit.

Prej vitesh, Kurban Bajrami në Vlorë shoqërohet me pjesëmarrje masive, ku besimtarë të të gjitha grupmoshave i bashkohen ceremonive dhe riteve të besimit islam.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco