Besimtarët myslimanë në Lushnje kanë kremtuar mëngjesin e sotëm festën e Kurban Bajramit, një nga festat më të rëndësishme të besimit islam, duke falur Namazin e Bajramit në sheshin kryesor të qytetit.
Qindra besimtarë lushnjarë u mblodhën që në orët e para të mëngjesit për të marrë pjesë në ceremoninë fetare, e cila u drejtua nga imami i xhamisë së Lushnjes, Alban Puka.
Pas faljes së namazit, myftiu i Lushnjes, Gramos Blloku, përcolli mesazhe paqeje, harmonie dhe solidariteti për të gjithë besimtarët dhe qytetarët shqiptarë. Në fjalën e tij ai u ndal edhe te situata në Palestinë, duke u lutur për paqe dhe për shërimin e dhimbjeve të popullit palestinez.
Atmosfera festive u shoqërua me urime mes besimtarëve, ndërsa festa e Kurban Bajramit vijon të kremtohet në familjet lushnjare me vizita dhe akte solidariteti.
© SYRI.net